Klajdi Bitri 23-vjeçari shqiptar humbi jetën tragjikisht pasi tentoi të ndalonte një sherr ku ishte i përfshirë shoku i tij. 23-vjeçari u godit me një shtizë peshkimi nga një shtetas algjerian me të cilin po konfliktohej shoku i tij.
Por dëmtimi në zemër i mori jetën Klajdi Bitrit, kështu ka rezultuar nga autopsia nga mjekja ligjore. Sipas autopsisë plaga në zemër dhe thellësia e goditjes përputhet me shtizën që u gjet nga karabinierët, kur arrestuan algjerianin Melloul Fatah. Komuniteti italian ka shprehur ngushëllimet për humbjen e të riut. Lot e dhimbje shihej tek njerëzit që ishin të pranishëm në morg teksa prisnin të merrnin trupin.
Të dashurit më të afërt, shokët e skuadrës së Nuova Aquila ku Klajdi luante dhe Xhulio stërvitej, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Ankonës, por edhe përfaqësues nga ambasada shqiptare janë ndodhur aty për t’u gjendur pranë dhe për të ndihmuar.
Mes personave të pranishëm është edhe nënkryetari i Bashkisë, Giovanni Zinni, i cili premton se do ta realizojnë dëshirën e shprehur nga të afërmit për marshim nderimi për një djalë shqiptar me zemër kaq të madhe.
“Një djalë i artë, vetëmohues, që u nda nga jeta për të shpëtuar një mikun e tij italian”, shprehen të pranishmit.
()