Ky është një investim prej 5 miliardë dollarësh nga kompania Fortress Investment Group, që mund të përdoret nga 8 milionë njerëz në vit për udhëtimet mes Majamit dhe Orlandos.
Florida filloi një linjë të re hekurudhore, shërbimi i parë privat i trenave për udhëtarë që prej një shekulli, në Shtetet e Bashkuara. Linja e re, që filloi punën të premten ofron një mënyrë të re udhëtimi mes qyteteve të Orlandos dhe Majamit.
Trenat me ngjyrë të verdhë që tashmë kanë filluar të qarkullojnë në linjën Majami-Orlando, arrijnë shpejtësinë prej 200 kilometrash në orë.
Linja “Brightline” është shërbimi i parë privat i trenave për udhëtarë mes qyteteve në Shtetet e Bashkuara, në një shekull.
Ky është një investim 5 miliardë dollarësh nga kompania Fortress Investment Group, që mund të përdoret nga 8 milionë njerëz në vit për udhëtimet mes dy qendrave më të mëdha turistike të Floridës.
Tridhjetë e dy trena do të qarkullojnë çdo ditë në linjën me distancë prej 379 kilometrash mes Majamit dhe Orlandos.
“Ideja se makina është i vetmi mjet udhëtimi, po sfidohet nga një produkt i ri, i cili është më i sigurt, më miqësor ndaj mjedisit dhe me një kosto më të ulët. Kjo është një ngjarje e madhe”, thotë Mike Reininger, President i linjës hekurudhore “Brightline”.
Ai thekson se shumica e pasagjerëve të linjës Majami-Orlando do të jenë njerëz që tashmë e bëjnë rregullisht këtë rrugë me makinë dhe të tjerët që nuk duan ta bëjnë atë me makinë.
Objektivi kryesor i nismës do të jenë banorët që udhëtojnë për të vizituar parkun Disney në Orlando dhe ata që duan të ndjekin ngjarjet sportive dhe koncertet në pjesën jugore të shtetit të Floridës.
Mark Vargas, një pasagjer nga Teksasi, i cili ndodhet për pushime në Florida, thotë se vendosi të merrte trenin për të shkuar në Majami me bashkëshorten e tij.
“Vendosa të përdor linjën Brightline sepse më dukej si mënyra më e bukur për të arritur në Majami. Çmimi është më i ulët se ai i taksive. Udhëtimi me tren është gjithashtu më i shpejtë se sa ai me makinë”, thotë ai.
John Renne, drejtor i Qendrës së Universitetit Atlantik të Floridës për Zgjidhjet Urbane dhe Mjedisore, thotë se korridori Majami-Orlando është i përsosur për hekurudhat me shpejtësi të lartë.
Rreth 40 milionë banorë të Floridës dhe vizitorë të tjerë e bëjnë këtë udhëtim në vit, rreth 90 për qind e tyre me makinë.
“Është mjaft emocionuese për ne në Floridën e jugut, të jemi një qendër për provat me një metodë të re udhëtimi, që mund të shihet si një model i ri i transportit hekurudhor, me shpejtësi të lartë në Shtetet e Bashkuara”, thotë zoti Renne.
Për shkak se “Brightline” është në pronësi private, ajo i kapërceu pengesat, diçka që një sistem transporti i drejtuar nga qeveria do ta kishte të vështirë, thekson ai.
Arena e Lajmit