Anthropic thyen rekordin e SpaceX, mbledh 107.3 miliardë dollarë në IPO dhe arrin vlerësimin 1.5 trilionë dollarë

Kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic ka shënuar një rekord të ri në tregjet financiare, duke siguruar 107.3 miliardë dollarë përmes ofertës publike fillestare (IPO) dhe shitjes private të aksioneve.

Krijuesi i chatbot-it Claude ka rritur numrin e aksioneve të ofruara dhe çmimin e tyre përpara debutimit në bursën Nasdaq në Nju Jork. Aksionet janë ofruar me çmimin 83 dollarë secila, mbi parashikimin fillestar prej 70 deri në 78 dollarësh.

Në total, janë shitur 980 milionë aksione, duke gjeneruar 81.3 miliardë dollarë. Kësaj shume i shtohen edhe 26 miliardë dollarë nga shitja private e aksioneve te kompanitë e teknologjisë.

Si rezultat, vlerësimi i përgjithshëm i Anthropic ka arritur në rreth 1.5 trilionë dollarë, duke e vendosur kompaninë mes emrave më të vlefshëm në tregun global.

Me këtë rezultat, Anthropic ka tejkaluar rekordin e mëparshëm të SpaceX të Elon Musk, e cila kishte siguruar 86 miliardë dollarë gjatë daljes në bursë në muajin qershor.

Suksesi i ofertës publike shihet si një tregues i rëndësishëm për të ardhmen e investimeve në inteligjencën artificiale, veçanërisht pas javëve të pasigurta për industrinë.

Anthropic, e themeluar vetëm pesë vite më parë nga ish-punonjës të OpenAI, është dalluar për zhvillimin e chatbot-it Claude dhe për fokusin e saj në ofrimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale për bizneset.

Kompania ka bërë të ditur se deri në fund të shtatorit kishte afro 12 mijë klientë që gjeneronin të paktën 100 mijë dollarë të ardhura secili gjatë një periudhe 12-mujore.

Megjithatë, zgjerimi i shpejtë shoqërohet edhe me kosto të larta. Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, rreth 9 miliardë dollarë janë shpenzuar për kapacitetet kompjuterike dhe infrastrukturën vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit.

Shqetësime mbeten gjithashtu humbjet financiare, konkurrenca në tregun e inteligjencës artificiale dhe investimet e mëdha në qendrat e të dhënave.

Në dokumentet e ofertës publike, Anthropic ka paralajmëruar edhe për rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i modeleve gjithnjë e më të avancuara të inteligjencës artificiale, duke theksuar se aftësia e shoqërisë për t’i menaxhuar këto rreziqe mund të mbetet pas ritmit të zhvillimit teknologjik.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×