Policia e Tiranës reagon për denoncimin e Enea Gjodedjes: Nuk është dhunuar në komisariat, u sulmua pranë ish-Hotel Dajtit

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar pas pretendimeve të Enea Gjodedjes për ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të këtij komisariati.

Në një deklaratë për mediat, Policia i ka mohuar këto pretendime, duke sqaruar se shtetasi është shoqëruar në komisariat mbrëmjen e 17 nëntorit 2026 dhe, pas përfundimit të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht për pesë vepra penale: “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.

  • foto galeri

Sipas Policisë, në momentin e largimit nga komisariati, Gjodedja ka nënshkruar procesverbalin e veprimeve të kryera nga punonjësit e Policisë, ku ka deklaruar se nuk kishte pretendime për mënyrën se si ishte trajtuar. DVP Tiranë thekson gjithashtu se ai nuk është thirrur dhe as shoqëruar në asnjë moment në zyrën e shefit të Komisariatit Nr. 1.

Policia jep edhe një version për dëmtimet që Gjodedja ka pësuar në syrin e majtë. Sipas deklaratës, më 18 nëntor, rreth orës 15:05, ai është paraqitur në spital me dëmtime në këtë pjesë të trupit.

Kur është pyetur nga punonjësit e Policisë që shërbenin pranë spitalit, Gjodedja ka deklaruar se një natë më parë, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, ishte ndaluar dhe dhunuar nga disa persona të panjohur për të.

Gjatë marrjes së informacionit nga Patrulla e Përgjithshme ka qenë i pranishëm edhe një avokat. Policia pretendon se Gjodedja nuk ka pranuar të bëjë kallëzim për këtë ngjarje, ndërsa shton se për rastin është njoftuar edhe salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Reagimi i policisë:

Në lidhje me pretendimet e shtetasit Enea Gjodedja për ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të Komisariatit, sqarojmë opinionin publik se këto pretendime nuk janë të vërteta.

Shtetasi E. Gj. është shoqëruar mbrëmjen e datës 17.11.2026 në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.

Në momentin e largimit nga ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, shtetasi E. Gj. ka nënshkruar procesverbalin e veprimeve të kryera nga punonjësi i Policisë me personin e ndaluar përkohësisht, në të cilin ka deklaruar se nuk kishte pretendime në lidhje me veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë.

Njëkohësisht, bëjmë me dije se shtetasi E. Gj. nuk është thirrur dhe as shoqëruar në asnjë moment në zyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se, më datë 18.11.2026, rreth orës 15:05, ky shtetas është paraqitur në spital me dëmtime në pjesën e syrit të majtë. Në momentin kur është pyetur nga punonjësit e Policisë të planizuar me shërbim pranë spitalit, ai u ka bërë me dije se, më datë 17.11.2026, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, është ndaluar dhe dhunuar nga disa shtetas që nuk i njeh. Gjatë pyetjeve të bëra nga Patrulla e Përgjithshme ka qenë i pranishëm edhe një avokat. Sqarojmë gjithashtu se ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallëzim. Për këtë rast është njoftuar edhe salla operative e DVP Tiranë.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×