Tender abuziv edhe për pikën e grumbullimit/ Bashkia Vau i Dejës “qerasi” me 250 mijë euro “Kombeas” të Astrit Nabollit e Mhill Ndrecës, fituese kompania me ofertën më të shtrenjtë

Zona e Vaut të Dejës ka një veprimtari të gjerë në bujqësi dhe kjo ka krijuar nevojën që fshatarët dhe fermerët të dorëzojnë produktet bujqësore në një pikë grumbullimi. Ajo mundësi që duhet të ishte një avantazh për banorët e zonës, të cilët janë të varur nga puna në bujqësi, është kthyer në një mundësi për zyrtarët e lartë për të abuzuar me detyrën. Në tetor 2022, Bashkia do të shpallte tenderin për “Ndërtimin e pikës së grumbullimit për produktet bujqësore në Vau i Dejës” me fond limit 28.7 milionë lekë.

Fitues u shpall kompania “KOMBEAS”, me administratorë Astrit Nabolli dhe Mhill Ndreca me vlerë 25 milionë lekë ose 250 mijë euro. Ndërkohë, kompania “Ndërtuesi 2014” kishte ofruar vetëm 22.7 milionë lekë, ç’ka do të përfaqësonte një kursim prej rreth 3 milionë lekësh për buxhetin publik. Por për arsye të pasqaruara, kjo kompani u skualifikua për një gabim teknik të emërtimit në marrëveshjen e bashkëpunimit, një devijim minimal, që sipas ligjit mund të kërkohej për sqarim nga bashkia pas shpalljes së fituesit.

Kombeas
Kombeas

Por “Vetting” ka zbuluar një abuzim akoma më të rëndë me pikën e grumbullimit. Rrugës duke shkuar te pika e grumbullimit të produkteve bujqësore “Vetting” konstatoi se nga një pikë e grumbullimit të produkteve bujqësore, ky vend është kthyer në një pikë të grumbullimit të mbetjeve. Madje mund të themi që dora e njeriut rreth e qark ka eliminuar mbetjet nëpërmjet procesit të djegies, gjë e cila rrit amortizimin e godinës, njëkohësisht duke ndotur edhe zonën.

Nga verifikimet në terren rezultoi se godina është ndërtuar në fshatin Kosmaç, një zonë periferike që ndodhet shumë larg serave të fermerëve.

Godina ndodhet në një vend ku rruga është me baltë dhe gropa. Në dyert e kësaj pike grumbullimi shikon plehra të shumta të përhapura në cdo cep dhe bimësi e cila tregon se aty nuk grumbullohen produkte bujqësore. Një vend i shkretuar ku paratë u shpërdoruan dhe dyert e kësaj ndërtese janë të kyçura prej shumë kohësh. Madje disa nga xhamat janë thyer dhe uji ka filluar të pikojë duke sjellë rrezik serioz për dëmtimin e godinës.

Sipas ekspertit të ekonomisë Eduard Gjokutaj, problemet lidhen me arsyet këto projekte nuk motivohen mbi interesat e qytetarëve, por mbi interesa të ngushta politike partiake por edhe interesa të grupeve të caktuara.

“Për këtë arsye kemi edhe atë çfarë vjen, e cila ndodh jo në interesat që ka prioritet publikun, por në interesin e politikës afat shkurtër. Kjo sjell një efekt të përcaktuar në perceptim, por nuk sjell atë që lidhet me qëndrueshmërinë e projekteve dhe vijueshmërinë e tyre në funksion të ekonomisë”, u shpreh eksperti Gjokutaj.

Jashtë kamerave fermerët shprehen se ky investim ka qenë thjesht për të përfituar pushtetarët dhe jo në interes të fermerëve, të cilët prodhimet e tyre i nxjerrin për shitje në qendër të fshatit. Për sa i përket pikës së grumbullimit të produkteve bujqësore shprehen të zhgënjyer. Disa prej fermerëve nuk kanë dëgjuar për këtë investim, i cili është gjysmak dhe nuk iu ka ardhur në ndihmë fermerëve. Dështimi i këtij projekti që ka marrë miliona lekë është pranuar edhe nga drejtuesi i kësaj pike grumbullimi.

“Për momentin nuk ka hyrë në funksion, kemi pritur të marrim një fond tjetër për të bërë dhomat, por për momentin nuk është në funksion. Unë punoj aty, kemi bërë një aplikim dhe ishallaj po e na e subvencionon qeveria. Do ta shoh me kryetarin e bashkisë, punë tre muajsh” u shpreh drejtuesi i pikës së grumbullimit për “Vetting”.

Nga verifikimet rezulton se nuk është vënë akoma në funksion edhe pse është krijuar një ndërmarrje varësie (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) nga Bashkia Vau i Dejës, duke rezultuar si investim pa eficencë për këtë bashki.

Në këtë projekt mungojnë investimet më të rëndësishme, siç janë dhomat frigoriferike. Rezulton se Bashkia Vau i Dejës e ka patur në dorë mundësinë për të bërë dhoma frigoriferike, nëpërmjet detyrës së projektimit, pasi projekti është lënë në dorën e zbatuesit (me çelësa në dorë). Në dosjen teknike del në pah se nuk ka asnjë aprovim të projekt zbatimit nga Bashkia. Kjo do të thotë që Bashkia e Vaut të Dejës mund ti kërkonte sipërmarrësit që të përfshiheshin në projekt edhe dhomat frigoriferike. Duke qenë se ky objekt nuk është në funksion, nxitimi për ta bërë sa më shpejt, ka dalë i gabuar. Ndërkohë që bashkia ka patur edhe fonde për ti bërë dhomat frigoriferike, përderisa ka prokuruar fonde për punime publike edhe në vitin 2023, edhe në vitin 2024.

“Vetting” zbuloi punime të pakryera në vlerën 2.4 milionë lekë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar arkëtimin e kësaj shume si dëm ekonomik ndaj buxhetit publik. Për këtë projekt janë mbajtur përgjegjës kryetari i bashkisë dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Sipas deputetes Dhurata Çupi, do të duhet që ndëshkueshmëria të jetë permanente dhe të jetë në mënyrë të vazhdueshme.

“Ka procedura prokurimi që në momentin që denoncohen duhet të kapen në flagrancë sepse në momentin që lidhet kontrata ka pasoja. Kapja në flagrancë nga organet hetimore është një nga procedurat më eficente mendoj unë në ndalimin e këtij abuzimi”, u shpreh deputetja Çupi për “Vetting”.

Aferat me tenderin për blerje karburanti
Një tjetër tender me probleme është ai për “blerje karburanti” për vitin 2023 me fond limit 20 milionë lekë nga Bashkia Vau i Dejës.

Kompanitë fituese “GEGA CENTER GKG” shpk – “GEGA OIL GROUP” SHA paraqitën ofertën 20 milionë lekë me normë fitimi 20 lekë për litër.

Ndërkohë kompania tjetër “SEFA” sh.p.k kishte një propozim më ekonomik për buxhetin e bashkisë, me vlerë oferte me marzh 17 lekë/litër, por u tërhoq nga gara duke lënë në tavolinë vetëm “GEGA CENTER GKG” shpk – “GEGA OIL GROUP” SHA.

Gjatë fazës së vlerësimit të ofertave rezulton se kompania “Sefa” ka paraqitur një kërkesë për tërheqje nga oferta. Ndërkohë që kompania ka paraqitur një dokument si sigurim oferte pranë kompanisë së sigurimeve me nr. serie 0141939, më datë 20 korrik 2023 në shumën 404 mijë lekë për llogari të Bashkisë Vau i Dejës.

Nga verifikimi i dokumentacionit konstatohet se kjo shumë nuk është transferuar në llogarinë e Bashkisë Vau i Dejës dhe nuk është kërkuar nga kjo e fundit. Pra, shuma prej 404 mijë lekësh përbën dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë Vau i Dejës. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto veprime janë në kundërshtim me VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar, neni 30, pika 6.

Bashkia e Vaut të Dejës nuk ka dokumentuar llogaritjen e vlerës së kontratës pasi nuk dokumentohet dhe argumentohet sasia e karburantit mbi të cilën është hartuar fondi limit. Veprime këto të cilat nuk janë në përputhje me ligjin “Për prokurimin publik”.

Shembujt e mësipërm nuk janë të rastësishëm. Në Shqipëri mungesa e konkurrencës së vërtetë në tendera është bërë rregull, duke eliminuar sistematikisht ofertat më të lira dhe duke favorizuar kompani të lidhura politikisht.

Në rastin e rikonstruksionit të shkollës në Mjedë, mbikëqyrjes së punimeve, infrastrukturës në zonat informale dhe pikës së grumbullimit, Bashkia Vau i Dejës ka shpërblyer kompani që ofrojnë çmime më të larta, duke shkelur parimin themelor të prokurimeve, ekonomicitetin dhe eficiencën.

Nëse do të ndiqeshin procedurat korrekte, vetëm nga dy tenderët e parë do të kishin kursyer miliona lekë, që mund të ishin investuar për shërbime për qytetarët.

Por realiteti në terren është tjetër, taksat që u vilen shqiptarëve kthehen në pronë private, ndahen sipas interesave politike dhe klienteliste, duke u bërë një mall i shitur në dëm të interesit publik.

Por një nga faktet që ngre hije dyshimi për aferat me shkollën “Hasan Meti” është drejtuesi i projektit, që është administratorja e njërës prej kompanive “ARABEL – STUDIO” njëkohësisht edhe aksionerja Ana Nishku. Kjo e fundit ka qenë pjesë e dosjes së ish-kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla i cili u dënua nga Gjykata e Posacme Kundra Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku Nishku ishte vendosur në arrest shtëpie pasi SPAK e akuzonte për fallsifikim të dokumenteve.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×