Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, Ervis Daka dhe Maksim Koçi janë ekstraduar nga Dubai, ku u arrestuan disa ditë më parë me kërkesë të Interpol Tiranës.
Ata akuzohen nga SPAK dhe GJKKO për vepra të rënda penale si vrasje dhe sigurim i mjeteve për të kryer vrasje.
Avioni me tre të shumëkërkuarit mbërriti në aeroportin e Rinasit mbrëmjen e kësaj të enjte, ndërsa forcat RENEA blinduan zonën duke marrë masa të rrepta sigurie.
Kush janë tre të ekstraduarit
Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
Ervis Daka i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
Maksim Koçi i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.
Njoftimi nga Policia e Shtetit
Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.
Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 3 shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar.
3 shtetasit e ekstraduar u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
()