
Reperi i njohur Fero ka thyer heshtjen, duke reaguar për herë të parë pas publikimit të aktakuzës ndaj tij në media. Përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë në Instagram dhe nënshkruar nga avokatja e tij mbrojtëse, Bedrie Berisha Rexhepi, ai ka shprehur shqetësimin për mënyrën si është trajtuar rasti në publik.
Fero e konsideron publikimin e dokumenteve të seancës gjyqësore të 25 qershorit si një shkelje serioze të procedurës ligjore, duke theksuar se seanca ishte e mbyllur për publikun dhe shpërndarja e informacioneve është e paligjshme.
“Publikimi i aktakuzës është i papranueshëm, pasi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe synon të ndikojë opinionin publik në mënyrë të padrejtë”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën deklaratë theksohet gjithashtu se edhe ish-bashkëshortja e reperit, modelja Arbenita Ismajli, është objekt i një hetimi penal nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Fero nënvizon se procesi ndaj tij po përdoret për ta diskredituar, por se kjo nuk do ta ndalë në betejën e tij më të rëndësishme, të drejtën për të parë vajzën e tij.