“Zgjedhjet në Tiranë do të mbahen, por jo më 9 nëntor”, Baçi: Fitorja e Binajt mund të ndezë shkëndijën e ndryshimit për opozitën

Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24, komentoi zhvillimet më të fundit politike në vend, me fokus situatën rreth Bashkisë së Tiranës dhe kandidaturën e Florjan Binajt në zgjedhjet e pjesshme që janë pezulluar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Baçi e vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të drejtë dhe pjesë të funksionimit normal institucional.

“Është normale që Gjykata Kushtetuese kthen vendime. Kur një institucion si Presidenti e pranon vendimin, jemi në një normalitet institucional,” tha ai.

Duke komentuar zhvillimet në Tiranë, Baçi theksoi se, ndryshe nga pesë bashkitë e tjera ku do të zhvillohen zgjedhje më 9 nëntor, në kryeqytet procesi është bllokuar, ndërkohë që vendimi për ankimimin e Veliajt pritet të merret më 31 tetor.

“Palët kanë hyrë në fushatë, zgjedhje do të ketë, është thjesht çështje kohe,” u shpreh analisti.

Ai kritikoi vonesën institucionale për shpalljen e zgjedhjeve në bashkitë me vakanca, duke e cilësuar një paradoks politik.

“Vetëm kur Këshilli Bashkiak vendosi për Veliajn, u kujtuan për bashkitë e tjera, ndonëse vakanca ishte konstatuar me kohë”, tha ai.

Sa i përket Erion Veliajt, Baçi u shpreh se, ndonëse ai mund të ketë fitore procedurale në aspektin juridik, politikisht ka marrë fund.

“Në Asamblenë e PS-së, Edi Rama bëri thirrje për shkarkimin e tij. Që aty u mor vendimi politik për Veliajn”, theksoi ai. Në lidhje me kandidaturën e Florjan Binajt, Baçi theksoi se Berisha dhe opozita e zgjodhën si figurë që mund të zgjojë qytetarët e zhgënjyer dhe të rinjtë.

“Në këto zgjedhje të pjesshme, duhej një kandidat që ngjall interes. Binaj, për shkak të profilit të tij si aktor dhe aktivist, mund të përfshijë ata qytetarë që zakonisht qëndrojnë larg procesit zgjedhor.”

Baçi vlerësoi se çfarëdo rezultati të ketë Binaj, ai do të shërbejë si sinjal i fortë për opozitën.

“Fitorja e bashkisë do të ishte një zgjim i jashtëzakonshëm për PD. Do të tregonte se gardat partiake kanë rënë dhe se drejtimi duhet t’u kthehet qytetarëve.”

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×