
Në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK) në Portin e Durrësit, në dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë finalizuar një kontroll fizik ndaj një drejtuesi kamioni dhe mjetit që ai po drejtonte, ku janë zbuluar disa sende të dyshuara të paligjshme. Pas hekurave ra shtetasi me inicialet O. T., 49 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur një pajisje elektronike të dyshuar si përforcues valësh, një shumë parash të padeklaruara dhe pa dokumentacion shoqërues, si dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike të llojit Cannabis sativa.
Të gjitha sendet e gjetura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, përfshirë pajisjen elektronike, shumën e parave, lëndën e dyshuar narkotike, kamionin dhe celularin e personit të arrestuar. Policia po vijon hetimet për të zbardhur origjinën e sendeve të sekuestruara dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të të ndaluarit.
and then