
Policia e Durrësit ka vijuar operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim, duke vënë në pranga dy shtetas të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e shtetasit E. M., 29 vjeç, banues në Sukth. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit, në tetor 2025, e kishte dënuar me 1 vit, 5 muaj e 15 ditë burgim për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” me pasoja të rënda materiale dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Në një tjetër operacion, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin nr. 6 në Tiranë, kapën dhe arrestuan shtetasin E. M., 49 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit ishte trajtuar në vitin 2024 me leje shpërblyese nga një institucion i vuajtjes së dënimit, ku po vuante dënimin për “Vrasje e mbetur në tentativë”, por nuk ishte kthyer më për të vijuar pjesën e mbetur të dënimit.
Pas kapjes, 49-vjeçari u shoqërua dhe iu dorëzua Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrogozhinë, për të vijuar vuajtjen e dënimit.
Policia bëri me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa puna vijon për kapjen e personave të tjerë në kërkim.
and then