
Presidentja e Bankës Europiane të Investimeve, Nadia Calviño, në një intervistë për News24 me gazetarin Erion Kaçorri, e cilësoi Shqipërinë si një histori suksesi, por edhe një punë në zhvillim e sipër.
Në vizitën e saj të parë në vend, Calviño deklaroi se është impresionuar nga progresi ekonomik dhe zhvillimi i Shqipërisë, ndërsa theksoi se Banka Europiane e Investimeve do të vijojë të mbështesë vendin me financime strategjike.
“Shoh rritje, prosperitet dhe mundësi fenomenale për të ardhmen. Shqipëria është njëkohësisht një histori suksesi dhe një punë që vazhdon. Ne jemi shumë të lumtur ta mbështesim vendin në rrugën drejt Bashkimit Europian”, u shpreh ajo.
Presidentja e BEI bëri të ditur se institucioni që ajo drejton ka siguruar tashmë 1 miliard euro financim për Shqipërinë gjatë vitit 2026 dhe pritet që mbështetja financiare të rritet me 60%.
Sipas saj, investimet fokusohen kryesisht në sektorët strategjikë si infrastruktura, furnizimi me ujë, transporti, hekurudhat dhe mbështetja për biznesin e vogël dhe të mesëm.
Një nga projektet kryesore të financuara nga BEI mbetet modernizimi i rrjetit hekurudhor shqiptar, përfshirë linjën Vorë-Hani i Hotit, projekt me vlerë 100 milionë euro. Calviño deklaroi se transformimi i sistemit hekurudhor shqiptar do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e rreth 4 milionë qytetarëve dhe do të lidhë më mirë Shqipërinë me rajonin dhe Bashkimin Europian.
“Po modernizojmë të gjithë sistemin hekurudhor nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Kjo do të sjellë standarde europiane dhe lidhje më të forta ekonomike e njerëzore në rajon”, tha ajo.
Duke komentuar projektin e linjës Durrës-Rrogozhinë dhe rëndësinë e Korridorit VIII, presidentja e BEI e cilësoi ndërlidhjen rajonale si një prioritet strategjik jo vetëm ekonomik, por edhe civil dhe ushtarak.
“Po lidhim ekonomitë, bizneset dhe njerëzit. Këto janë investime kyçe për sigurinë dhe integrimin europian të rajonit”, deklaroi Calviño.
Në intervistë, ajo foli edhe për marrëveshjen e nënshkruar me Bankën e Shqipërisë për investimet ekologjike dhe përballimin e ndryshimeve klimatike. Sipas saj, përmbytjet dhe thatësirat kanë treguar qartë nevojën për investime në infrastrukturë rezistente dhe energji të gjelbër.
“Çdo euro e investuar në parandalim kursen 5 deri në 7 euro dëme dhe riparime”, theksoi presidentja e BEI.
Calviño vlerësoi gjithashtu mbështetjen për bizneset e vogla dhe të mesme shqiptare, duke bërë të ditur se gjatë viteve të fundit janë financuar rreth 20 mijë kompani në vend.
“Ne sjellim kredi afatgjata me interesa të ulëta për bizneset. Këto kompani janë zemra e ekonomisë shqiptare dhe do të luajnë rol kyç në prosperitetin e vendit”, u shpreh ajo.
E pyetur mbi ndikimin e investimeve kineze dhe ruse në rajon, presidentja e Bankës Europiane të Investimeve deklaroi se Bashkimi Europian mbetet “fari i vlerave, i lirive dhe i shtetit ligjor”.
“Nuk besoj se shqiptarët kanë dilemë për familjen ku bëjnë pjesë. Shqipëria është pjesë e familjes europiane”, tha Calviño.
INTERVISTA E PLOTE:
Erion Kaçorri: Zonja Presidente, kënaqësi që jeni në televizionin News24
Kënaqësi që ndodhem këtu.
Erion Kaçorri: Presidentja Calvino, Banka Europiane e Investimeve është një krah kryesor financiar i BE-së. Ne duam të dimë mendimin tuaj. Si do ta përshkruanit Shqipërinë sot, një histori suksesi, apo ende një punë në zhvillim e sipër?
Eshtë hera ime e parë në Shqipëri dhe jam e impresionuar nga progresi i bërë nga Shqipëria. Mund të shikoni rritje, mund të shihni prosperitetin që mbërrin tek qytetari dhe mendoj se mundësitë për të ardhmen janë fenomenale. Pra mendoj se janë të dyja, edhe histori suksesi, por edhe një punë në vazhdim. Dhe ne jemi shumë të lumtur si Banke Europiane e Investimeve që ta mbështesim vendin në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.
Erion Kaçorri: A mund të na tregoni disa marrëveshje investimi të miratuara të nënshkruara me qeverinë shqiptare dhe rëndësinë e tyre?
Ne jemi sot këtu për të nënshkruar një marrëveshje me një kompani private, për të ofruar financim në kushte të mira për kompanitë e vogla dhe të mesme në të gjithë vendin. Ne jemi duke financuar projekte shumë të rëndësishme infrastrukturore ne fushën e ujit të pijshem, në fushën e transportit dhe për të mbështetur sektorin privat për të patur prosperitet dhe jam e sigurt se do të financojmë nisma të tjera kryesore në vitet e ardhshme.
Si kontribuojnë drejtpërdrejt investimet e Bankes Europiane te Investimeve në anëtarësimin e Shqipërisë në BE?
Ne kemi siguruar tashmë 1 miliard euro financim për vendin këtë vit 2026. Presim që financimi të rritet me 60 % dhe kjo tregon trendin pozitiv dhe faktin se ne po e mbështesim dhe po e ndjekim nga afër procesin e anëtarësimit në mënyrë që Shqipëria të përmbushë standardet evropiane dhe të përmbushë objektivat e saj ambicioze për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian deri në fund të kësaj dekade. Dhe sigurisht, investimet tona kanë të bëjnë me sjelljen e standardeve në nivelin evropian në fushat e furnizimit me ujë, riciklimit, kanalizimeve, në fushën e transportit dhe në shumë fusha kyçe të infrastrukturës që bëjnë diferencën për qytetarët në terren.
Në vitin 2024, Banka Europiane e Investimeve financoi një projekt prej 100 milionë eurosh për hekurudhën Vore-Hani i Hotit. Sipas mendimit tuaj, si është bashkëpunimi me palën shqiptare, si po ecën projekti dhe çfarë zgjidh ai për rajonin dhe Shqipërinë?
Është një nga projektet tona kryesore. Në fakt, ne po modernizojmë, përmirësojmë të gjithë sistemin hekurudhor të vendit nga veriu në jug, në lindje dhe në perëndim dhe kjo do t’u sjellë dobi 4 milionë qytetarëve që do të jenë në gjendje të udhëtojnë me infrastrukturë dhe hekurudha moderne. Sigurisht, kjo kërkon kohë, por procesi i projektit është në rrugën e duhur dhe ne, si Bankë Evropiane e Investimeve, jo vetëm që sjellim paratë, por sjellim edhe ekspertizën teknike. Për shkak të përvojës sonë të gjerë në financimin e projekteve të tilla në Evropë dhe në mbarë botën, ne mund ta ndihmojmë administratën e vendit të zbatojë të gjithë procesin në një mënyrë që është në përputhje me standardet evropiane.
Në vitin 2025, ju nënshkruat një marrëveshje me Bankën e Shqipërisë për të nxitur investimet ekologjike. Cili është qëllimi i kësaj marrëveshjeje dhe si po ecën ajo?
Është mjaft e qartë se duhet të trajtojmë ndikimin e veprimeve klimatike. Ky është një investim i mirë dhe nuk kam nevojë t’ua shpjegoj shqiptarëve. Kohët e fundit keni vuajtur ndikimin e përmbytjeve. Mund të ketë thatësira dhe përmbytje në të njëjtën kohë, kështu që duhet të sigurohemi që ekonomitë tona janë rezistente ndaj ndikimit të ndryshimeve klimatike. Çdo euro që investojmë në parandalim dhe përshtatje kursen pesë deri në shtatë euro në dëme dhe riparime, për të mos folur për humbjet njerëzore të cilat mund të jenë të pakthyeshme, sigurisht. Pra, jemi shumë të lumtur që mund ta mbështesim Shqipërinë jo vetëm me infrastrukturë të qëndrueshme si ato që përmendëm, hekurudhat dhe gjithashtu menaxhimin e ujit këtu në qytetin e Tiranës. Infrastrukturat e parandalimit të përmbytjeve, por edhe mbështetjen e kompanive të vogla dhe të mesme që po investojnë në këto fusha, të tilla si efikasiteti i energjisë në mënyrë që faturat e energjisë të jenë më të ulëta, përshtatja në mënyrë që të ketë më shumë pajisje moderne në mënyrë që ata të jenë më të përgatitur për këtë ndryshim të vazhdueshëm.
Linja Durrës-Rrogozhinë konsiderohet si një lidhje kyçe për lidhjen e portit të Durrsit me korridoret rajonale të transportit (Korridori VIII) dhe për integrimin gradual të Shqipërisë në rrjetin hekurudhor evropian. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së financimit me BE-në, Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, e përshkroi këtë nyje si të rëndësishme jo vetëm për tregtinë, por edhe për sigurinë. Ku e shihni rolin e rajonit në këtë drejtim?
Sapo vizitova Malin e Zi, tani jam në Shqipëri dhe në të dy vendet lidhja është një nga prioritetet kryesore në mënyrë që i gjithë ky rajon të jetë i lidhur më mirë me Bashkimin Evropian dhe që të ketë lidhje më të mirë brenda rajonit. Ne po lidhim bizneset, ekonomitë, po lidhim njerëzit në fund të fundit dhe mendoj se këto investime në strukturat hekurudhore, aksesin veri-jug dhe aksesin horizontal, i cili është i rëndësishëm nga pikëpamja civile dhe ushtarake, janë disa nga projektet kryesore që po financojmë si Banka Evropiane e Investimeve.
Jeni e kënaqur me projektin në Portin e Durresit?
Nuk kam ndonjë informacion specifik që do të sinjalizonte ndonjë problem në këtë drejtim. Deri më tani, projektet që financohen nga Banka Evropiane e Investimeve po menaxhohen mirë dhe nuk kam marrë asnjë tregues negativ.
Cilin investim të Bankës Evropiane në Shqipëri do ta veçonit si investimin më mbresëlënës dhe të nevojshëm?
Është një pyetje shumë e mirë sepse nëse do të më duhej të flisja për këtë, do të ishte uji, do të ishte ndërlidhja, hekurudhat. Do të ishte gjithashtu mbështetja për kompanitë e vogla dhe të mesme, por sapo pata një takim me Kryeministrin Rama, dhe ai po theksonte gjithashtu rëndësinë e investimit në kulturë. Jam shumë e impresionuar nga ajo që tha. Ai ka një numër projektesh këtu në qytet, një muze të ri etj, dhe ky është me të vërtetë një investim shumë i rëndësishëm sepse kultura jonë është identiteti ynë dhe kultura e vendit sinjalizon dëshirën e fortë të popullit të tij për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Dhe fakti që Shqipëria është një vend evropian. Më bëri shumë përshtypje këmbëngulja e tij që të shqyrtojmë edhe disa investime në kulturë. Arsimi është një tjetër aspekt që ne jemi mjaft të fortë në përgjithësi dhe është padyshim investimi më i mirë i mundshëm për vendin tonë, një çështje ndaj së cilës Kryeministri Rama dhe qeveria e tij janë gjithashtu shumë të përkushtuar.
Ne jemi të vetëdijshëm për investimet masive kineze dhe ruse në rajon. Ku i shihni përparësitë kryesore të projekteve të financuara nga BE-ja?
Mendoj se nuk kam nevojë t’iu shpjegoj shqiptarëve se ku është zemra e tyre, ku është truri i tyre, sepse ata kanë pasur një histori shumë të pasur, mendoj, duke u marrë me disa lojtarë të tjerë kyç në skenën botërore dhe përvoja juaj mendoj se është një dëshmi shumë e mirë pse Bashkimi Evropian është i ndryshëm. Pikërisht tani në kontekstin aktual gjeopolitik, BE-ja është me të vërtetë një far vlerash, një far i të drejtave të njeriut, një far i lirisë dhe gjithashtu i sundimit të ligjit. Fakti që çdo person do të trajtohet në mënyrë të barabartë nga sistemi dhe administrata është aty për t’u shërbyer qytetarëve dhe mendoj se këto parime që janë zemra e projektit evropian janë shumë të çmuara nga shqiptarët. Sipas mendimit tim nuk duhet të ketë hezitim dhe mendoj se nuk ka hezitim, ne i përkasim të njëjtës familje evropiane dhe ne si Banka Evropiane e Investimeve duam ta mbështesim vendin në këto ambicie.
Si i mbështesni ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në rajon, cilat kritere të përshtatshmërisë duhet të përmbushin ato dhe si po i ndihmon mbështetja e Bankes Europiane te Investimeve t’i bëjë ato më konkurruese ndaj kërkesave në zhvillim të tregut?
Si Bankë Evropiane e Investimeve, ne u krijuam dekada më parë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian me injeksion kapitali dhe ishim fitimprurës çdo vit. Ne i riinvestojmë këto fitime, në mënyrë që të kemi rezerva të forta, dhe kjo na jep një vlerësim trefish A në tregjet financiare. Ne mund të marrim hua në tregjet financiare me kushte të mira financimi, norma të ulëta interesi, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se për çfarë po flas. Dhe ajo që bëjmë është t’u kalojmë klientëve këto norma të ulëta interesi dhe kredi afatgjata, të cilat sigurisht u japin shumë hapësirë frymëmarrjeje kompanive të vogla dhe të mesme. Gjatë viteve të fundit kemi investuar dhe mbështetur 20 mijë kompani të vogla dhe të mesme këtu në Shqipëri, të cilat janë zemra dhe gjaku i vendit, dhe jam vërtet i lumtur që sot kemi nënshkruar një marrëveshje tjetër me një bankë evropiane, me një bankë private, për t’u siguruar që ne vazhdojmë të ofrojmë financim në kushte të mira për kompanitë e vogla dhe të mesme, të cilat me siguri do të luajnë një rol kyç në prosperitetin e ardhshëm të vendit.
Çfarë rezultatesh të prekshme ekonomik prisni nga investimet në Shqipëri?
Ne duhet duhet të jemi nje institucion fitimprurës në mënyrë që të mund t’i riinvestojmë këto shuma dhe të vazhdojmë t’u japim këto kredi afatgjata në kushte të mira financimi klientëve tanë në Evropë dhe më gjerë. Pra, për ne është e rëndësishme që të vazhdojmë të kemi një model biznesi të qëndrueshëm, por ky nuk është vetëm një përfitim financiar. Ka të bëjë me bërjen e një ndryshimi në terren dhe ajo që më bën vërtet krenare është se kur të vizitoj vende, sot do të jetë Shqipëria dhe do të kemi mundësinë të vizitojmë disa kompani të mesme, për shembull një kafene që ka përfituar nga financimi nga Bashkimi Evropian. Sa herë që shoh këto projekte, shoh ndikimin e punës sonë në terren dhe shoh se si Bashkimi Evropian po ndërton një komunitet me prosperitet të përbashkët të të drejtave të njeriut, të sundimit të ligjit dhe vlerave dhe kjo më bën vërtet krenar.
A rrezikohet Evropa nga një krizë ekonomike nga përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme? Disa vite më pare nisi lufta në Ukrainë që vazhdon akoma. Sa e rrezikuar eshte Europa?
Padyshim që Bashkimi Evropian është një projekt paqeje, kështu që mesazhi i parë që dua të përcjell është dëshira e fortë që këto konflikte të ndalen. Është e qartë se konflikti, pushtimi i Rusisë, përpjekja për pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, të dyja konfliktet po krijojnë një ndikim të madh negativ në të gjithë botën dhe sa më shpejt të mbarojnë, aq më mirë për ekonominë botërore. Tani, mesazhi kryesor që vjen nga këto luftëra kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian është vendosmëria për t’u çliruar nga varësia ekstreme nga lëndët djegëse fosile. Tranzicioni i gjelbër, tranzicioni i energjisë, fakti që ne diversifikojmë burimet e energjisë, që ne vendosim burime energjie vendase që të bëhemi më efikasë kur bëhet fjalë për konsumin e energjisë, është e qartë se këto konflikte po e përshpejtojnë këtë trend sepse kompanitë private dhe qytetarët janë plotësisht të vetëdijshëm për nevojën për të zvogëluar varësinë nga lëndët djegëse fosile të cilat jo vetëm që janë të paqëndrueshme, por po bëhen edhe më të shtrenjta. Dhe mendoj se ky është një mësim i mirë për të gjithë ne, se po ecim përpara dhe po përshpejtojmë rolin tonë në mbështetjen e këtyre tranzicioneve të energjisë në Evropë, përreth nesh dhe në të gjithë botën.
Si planifikoni t’i diversifikoni burimet e energjisë?
Ne tashmë po e bëjmë këtë. Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Bashkimi Evropian e ka përmirësuar ndjeshëm qëndrueshmërinë e tij. Tani, me konfliktet në Lindjen e Mesme, mund të shohim se ndikimi është shumë më i ulët se sa do të kishte qenë në vitin 2020, për shembull.
Ishte surprizë kjo për ju?
Nuk u habita aq shumë sepse më parë isha nënkryetare e qeverisë së Spanjës dhe Spanja është një shembull i depërtimit të burimeve të rinovueshme, që përbëjnë pjesën më të madhe të furnizimit me energji në baza ditore dhe që bën një ndryshim të madh në aspektin e varësisë në lëndët djegëse fosile. Ekziston gjithashtu një furnizim shumë i larmishëm i furnizuesve të ndryshëm në të gjithë botën, kështu që Evropa është bërë më elastike, por sigurisht që këto tronditje gjeopolitike që ndikojnë në të gjithë botën me siguri do të ngadalësojnë rritjen, do të rrisin inflacionin dhe nuk janë të mira për ekonominë globale, prandaj kthehem te pika ime e parë, shpresoj se mund ta gjejmë rrugën drejt paqes sa më shpejt të jetë e mundur.
A parashikoni nje tjeter krize ekonomike europiane si ajo e vitit 2008?
Epo, ne kemi një sektor financiar shumë të fortë në Evropë tani. Ekonomia evropiane ka provuar të jetë shumë e qëndrueshme, për shembull në kohën e Covid-it dhe tani në dy sulmet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Është e qartë se ekonomia evropiane ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në vitet e fundit dhe një pozicion të fortë. Por ne duhet të ndjekim këtë rrugë qëndrueshmërie dhe konkurrueshmërie për Ekonominë Evropiane dhe Banka Evropiane e Investimeve po luan rolin e saj duke investuar në teknika të reja inovative dhe në tranzicionin e gjelbër që sapo përmenda, duke mbështetur bizneset e reja evropiane që të zgjerohen në mënyrë që të jemi të fortë për hir të evropianëve, por edhe për hir të ekonomisë botërore, sepse Bashkimi Evropian është një superfuqi botërore dhe tani ne duhet të luajmë një rol në sjelljen e stabilitetit, besimit dhe prosperitetit tek fqinjët tanë, duke filluar me Shqipërinë.
Epo, shumë faleminderit për kontributin tuaj dhe për intervistën.
Faleminderit juve.
and then