Rilindja e Ferrarit, sekreti i suksesit është metoda Vasër

Të flasësh për luftën për titullin botëror është rreptësisht e ndaluar. Drejtori i ekipit të Ferrarit, Fred Vasër, e përsëriti këtë disa herë të dielën pas fitores së Sharl Lëklerk në Silverston, suksesit të dytë të “kokëkuqes” në tre garat e fundit në Formula 1. Kur një gazetar i bëri sërish pyetje për shanset e skuadrës italiane në kampionat, francezi, duke qeshur, tregoi veshin dhe tha: “Je i shurdhër? Thashë që nuk e përdorim atë fjalë”.

Edhe komunikimi është bërë pjesë e rëndësishme e filozofisë së re në Maranelo, që prej momentit kur këtë sezon gjërat kanë nisur të marrin drejtimin e duhur, duke lënë pas vuajtjet e një viti 2025 pa fitore. “Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të vazhduar përmirësimin. Diferenca me Mercedesin nuk zhduket brenda një çasti, si me magji. Kur të rikthehemi në fabrikë, do të kemi sërish të njëjtën qasje, do t’u themi djemve se duhet të përqendrohemi vetëm te fundjava e ardhshme”, shpjegoi Vasër.

VLERA E FERRARIT – Mesazhi që përsëritet vazhdimisht nga të gjithë brenda skuadrës është i njëjtë: “Mendojmë garë pas gare”. Pa zhgënjime të mëdha kur gjërat nuk shkojnë mirë dhe pa eufori të tepruar kur vijnë rezultate mbi pritshmëritë, si triumfi në Silverston, i arritur në një fundjavë që në letër dukej jashtëzakonisht e vështirë për Ferrarin. Ky ndryshim mentaliteti ka qenë thelbësor për të nisur nga e para këtë sezon. Vasër e ka udhëhequr këtë transformim të brendshëm së bashku me njerëzit e tij më të besuar, me të cilët që prej sezonit të kaluar ka nisur një revolucion të heshtur në mes të një periudhe të mbushur me zhgënjime. Nga zëvendësi i drejtorit të ekipit, Jerom d’Ambrosio, te drejtuesi i inxhinierisë së pistës, Mateo Tonjinali, Vasër ka identifikuar pozicionet dhe rolet ku duhej përqendruar puna. Në të njëjtën kohë, ai u ka lënë hapësirë të dy pilotëve për të ndjekur rrugët e tyre në bokse, duke pranuar dallimet e mëdha në metodologji dhe zgjedhje teknike mes Sharl Lëklerkut dhe Luis Hamiltonit.

LËKLERK DHE HAMILTON – Ajo që sot te Ferrari është më e qartë se kurrë është se për të punuar mirë së bashku, dy pilotët nuk duhet domosdoshmërisht të ndjekin të njëjtën rrugë teknike. “U përpoqa të shkoja në drejtimin që kishte zgjedhur Luis, por nuk funksionoi. Kur u riktheva te mënyra ime e punës, gjërat nisën të përmirësoheshin”, shpjegoi të shtunën Lëklerk. Ishte një proces që kërkoi kohë, siç theksoi vetë piloti nga Monako, por edhe mbështetjen e një grupi pune të cilit Lëklerk zgjodhi t’i shprehte mirënjohjen, duke nisur me Brian Bocin, inxhinierin e tij të garës që nga viti 2024.

Boci ndau me të podiumin e Silverston dhe përmes radios vlerësoi përkushtimin e pandalshëm të pilotit. Lëklerk falënderoi gjithashtu dy figura të tjera të stafit të tij, Andrea Ferrarin, trajnerin e performancës që punon prej vitesh me pilotin nga Monako, dhe Johanes Hatz, inxhinierin e tij të performancës. Këta emra i bashkohen dhjetëra teknikëve të tjerë që kanë qenë thelbësorë në ndërtimin e një skuadre solide, një skuadër tek e cila Lëklerk ka besim të plotë. Një situatë e ngjashme vlen edhe për Hamiltonin, i cili pas shumë pakënaqësive gjatë vitit 2025 duket se ka gjetur ekuilibrin me inxhinierin e tij të ri të garës, Karlo Santi. Vetë Luis e ka quajtur atë “Bono italian”, duke iu referuar inxhinierit të Mercedesit që e ka ndjekur për 12 vite dhe me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie shumë të fortë. “Është edhe çështje besimi, mes nesh dhe brenda grupit. Çdo pjesë e ekipit duhet të ndihet mirë dhe të dijë se mund të kontribuojë në sukses”, deklaron Vasër. Nëse dy pilotët ndjekin drejtime të ndryshme apo të njëjta teknike, kjo tashmë ka më pak rëndësi. Ajo që ka ndryshuar vërtet te Ferrari është metoda e punës



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×