
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Bet”, duke goditur tre raste të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet. Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë zbuluar tre ambiente ku organizoheshin lojëra fati, ndërsa janë sekuestruar 3 makineta, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi dhe 5 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 4 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin G. Zh., 22 vjeç, ndërsa shpallën në kërkim shtetasit M. Zh., 50 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç. Sipas policisë, këta persona dyshohet se organizonin lojëra fati në një ambient me qira në rrugën “Aleks Çaçi”, ku u gjetën dy makineta, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.
Ndërkohë, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin G. S. (J.), 39 vjeç, pasi në lokalin që administronte në zonën e Bathores u gjet një makinetë dhe një celular që dyshohet se përdoreshin për lojëra fati.
Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit S. G., 21 vjeç, O. C., 19 vjeç, R. H., 27 vjeç dhe F. D., 67 vjeç. Gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, atyre iu gjetën telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e basteve sportive. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.
and then