
Pas suksesit në Britani, Ferrari mbërrin në fundjavën e Belgjikës më e karikuar se kurrë dhe do të kërkojë të bëjë “bis” në Spa, ndonëse bëhet fjalë për një pistë të vështirë në një fundjavë që ofron shumë pikëpyetje.
“Mbërrijmë në Spa-Francorchamps duke e ditur se na pret një fundjavë veçanërisht sfiduese. Është një nga garat më të vështira të kalendarit, si për karakteristikat e pistës, ashtu edhe për kushtet e motit në Ardene, të cilat shpesh janë të ndryshueshme dhe të paparashikueshme”. Kështu është shprehur Fred Vasër, drejtuesi i skuadrës së Ferrarit, duke folur në prag të Çmimit të Madh të Belgjikës në Formula 1.
“E dimë se mund të mbështetemi te një ekip i bashkuar, që vazhdon të punojë në të njëjtin drejtim, si dhe te dy pilotë që bashkëpunojnë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe e motivojnë vazhdimisht njëritjetrin sa herë që dalin në pistë. Edhe në këtë fundjavë objektivi ynë do të jetë të maksimizojmë rezultatin dhe të sigurohemi që çdo detaj të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme, nga sesioni i parë deri te flamuri me kuadrate”, shtoi drejtuesi francez i skuadrës nga Maranelo.
Ferrari vjen pas suksesit në Silverston, ku Sharl Lëklerk siguroi fitoren, ndërsa Luis Hamilton u rendit në vendin e tretë. Për sa i përket klasifikimit të pilotëve, Kimi Antoneli i Mercedesit kryeson klasifikimin me 179 pikë, ndjekur nga shoku i skuadrës, Xhorxh Rasëll me 154 pikë. Më tej vjen dyshja e Ferrarit, Luis Hamilton, i treti me 147 pikë dhe Sharl Lëklerk, i katërti me 108 pikë. Në garën e konstruktorëve, Mercedesi udhëheq me 333 pikë, ndjekur nga Ferrari me 255 dhe MekLaren me 179 pikë.
and then