
Tre të rinjtë që mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në një lokal në lagjen “Vullnetari” (Banesat) në qytetin e Elbasanit kanë lënë spitalin vetëm dy orë pasi morën ndihmën mjekësore, pasi fatmirësisht plagët e marra nuk rezultuan të rrezikshme për jetën. Burime spitalore bëjnë me dije se Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç dhe Renaldo Mance, 31 vjeç, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë kthyer në banesat e tyre.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej të plagosurve ka marrë një plagë të lehtë në shpatull, një tjetër është goditur në këmbë, ndërsa personi i tretë ka pësuar vetëm një gërvishtje nga plumbi. Në vendin e ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të ndihmuar në identifikimin e armës së përdorur.
Hetimet janë përqendruar në disa pista për të zbardhur motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes. Grupi hetimor ka siguruar pamje filmike nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe të bizneseve përreth, ndërsa janë marrë në pyetje edhe tre personat e plagosur, me qëllim rindërtimin e çdo momenti të sulmit dhe identifikimin e autorit.
Një element i rëndësishëm i ngjarjes është se në momentin e të shtënave, në ambientet e lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit. Menjëherë pasi ka dëgjuar krismat, ai ka dalë jashtë dhe është vënë në ndjekje të autorit.
Gjatë arratisjes, autori ka hedhur armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga policia si provë materiale, por ka mundur të largohet në thellësi të lagjes, duke humbur gjurmët.
Pas ngjarjes, forca të shumta policie rrethuan zonën dhe zhvilluan kontrolle intensive në një perimetër të gjerë, ndërsa operacioni për lokalizimin dhe arrestimin e autorit vijon. Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet procedurale dhe ekspertizat e nevojshme për të dokumentuar ngjarjen, për të sqaruar rrethanat e plota të sulmit me armë dhe për të identifikuar e vënë përpara përgjegjësisë penale autorin e të shtënave.
and then