
Egnatia ka barazuar 3-3 ndaj Celjes në ndeshjen e parë të raundit të dytë të UEFA Champions League, në nje sfidë mjaft emocionuese dhe të luftuar, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Slloveni.
Takimi i luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Egnatia Arena”, i mbushur plot nga tifozët e skuadrës shqiptare, nisi në mënyrën më të mirë për rrogozhinasit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 7-të falë një autogoli të shkaktuar nga presioni i Eneo Bitrit. Mbrojtësi goditi me kokë, ndërsa topi u devijua nga një lojtar i Celjes dhe përfundoi në rrjetë.
Egnatia zhvilloi një pjesë të parë mjaft të mirë, duke krijuar disa raste të rrezikshme për të dyfishuar shifrat, por pa arritur të konkretizojë. Kur dukej se vendasit do ta mbyllnin në epërsi 45-minutëshin e parë, Kvesiç riktheu baraspeshën për skuadrën sllovene.
Edhe në fillimin e pjesës së dytë, kampionët e Shqipërisë kërkuan golin e avantazhit. Albanese ishte shumë pranë realizimit, por portieri kundërshtar reagoi në mënyrë vendimtare. Në krahun tjetër, Celje përfitoi nga një moment i mirë dhe përmbysi rezultatin në minutën e 54-t me golin e Kucys.
Reagimi i Egnatias ishte i menjëhershëm. Fernando realizoi një supergol për të rikthyer baraspeshën, ndërsa skuadra e Nevil Dedes mori kontrollin e lojës dhe u afrua disa herë pranë golit të tretë. Megjithatë, në momentin më të mirë të vendasve, Kvesiç realizoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për sllovenët, duke rikthyer në avantazh Celjen.
Rrogozhinasit nuk u dorëzuan dhe gjetën sërish forcën për të reaguar. I sapofuturi në lojë, Diabate, shënoi golin e tretë në minuten e 78-të, duke bërë që sfida të mbyllej në barazim dhe duke lënë të hapur çështjen e kualifikimit.
Ndeshja e kthimit do të luhet më 29 korrik në Slloveni, ku do të përcaktohet skuadra që do të sigurojë kalimin në raundin e tretë të UEFA Champions League.
and then