
Juventusi nuk ndalet në merkato. Pas sigurimit të Randal Kolo Muanit, bardhezinjtë kanë përshpejtuar negociatat edhe për një nga talentet më të kërkuar të futbollit europian, Kerim Alajbegoviç.
Sipas mediave italiane, klubi torinez i ka paraqitur Bayer Leverkusenit një ofertë zyrtare prej 35 milionë eurosh, së cilës i shtohet edhe 10 për qind e vlerës së një shitjeje të ardhshme. Marrëveshja mes dy klubeve raportohet se është shumë pranë finalizimit, ndërsa drejtuesit e Juventusit po punojnë për të siguruar edhe dakordësinë e futbollistit, me synimin për të mbyllur sa më shpejt operacionin.
Konkurrenca, megjithatë, mbetet e fortë. Për 18-vjeçarin kanë shfaqur interes edhe Milani, Chelsea dhe Napoli, por Juventusi duket se ka marrë avantazhin në garën për firmën e tij.
Një rol të rëndësishëm në negociata ka luajtur Frederic Massara, i cili e kishte ndjekur Alajbegoviçin që në kohën kur ishte drejtor sportiv i Romës. Ndërkohë, sipas raportimeve, ndikim ka pasur edhe ish-mesfushori i Juventusit, Miralem Pjaniç, i cili është kthyer në një mentor për talentin boshnjak dhe ka kontribuar në afrimin e tij me klubin bardhezi.
Nëse transferimi mbyllet me sukses, Juventusi pritet të bëjë edhe lëvizje në dalje. Emri më i përfolur është ai i Francisco Conceição. Portugezi ka tërhequr interes nga disa klube pas paraqitjeve të mira në Botërorin e Klubeve dhe ardhja e Alajbegoviçit, së bashku me Kolo Muanin, mund ta shtyjë klubin torinez të sakrifikojë pikërisht anësorin portugez.
and then