
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ku aktualisht janë angazhuar të paktën 227 forca operacionale dhe 16 mjete zjarrfikëse e mbështetëse.
Në operacione janë përfshirë edhe mjete ajrore, me tre helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Në qarkun e Tiranës, disa vatra janë rishfaqur gjatë mesditës në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita. Forcat në terren vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin, ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Cikallesh të Kavajës, intensiteti i zjarrit ka rënë ndjeshëm dhe vatra po shkon drejt shuarjes së plotë, pas ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse dhe mbështetjes nga ajri.
Ndërkohë, në Priskë të Madhe vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.
Në qarkun e Fierit, në aksin Panahor–Ndrenie–Vlosht në Mallakastër, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Edhe vatra në zonën Koilac–Greshicë raportohet nën kontroll.
Në Abazë të Krujës, situata është stabilizuar. Në terren kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, kryesisht në zona me terren të vështirë. Operacioni po vijon me pjesëmarrjen e strukturave të Emergjencave Civile, Bashkisë Krujë, MZSH-së, shërbimit pyjor dhe Prefekturës së Qarkut Durrës. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar situatës në Vilëz të Kurbinit, ku zjarri u riaktivizua në një sipërfaqe pyjore dhe, për shkak të terrenit të vështirë dhe erës, rrezikonte kishën, varrezat dhe disa banesa.
Rreth 50 forca nga MZSH-ja, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarë janë angazhuar në operacion. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka frenuar përparimin e flakëve dhe ka shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.
Megjithatë, vatra në Vilëz vijon të jetë aktive dhe po mbahet nën ndërhyrje.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile po vijojnë pa ndërprerje operacionet tokësore dhe ajrore, me synim izolimin, vënien nën kontroll dhe shuarjen përfundimtare të të gjitha vatrave aktive.
and then