
Gjatë dhjetë viteve të fundit në shumë pjesë të Evropës është rritur ndjeshëm rrezatimi ultravjollcë. Studiuesit paralajmërojnë për rritje të rrezikut për kancerin e lëkurës dhe dëmtimet e syve.
Sipas një studimi të ri në disa zona të Evropës rritja e rrezatimit ultravjollcë (UV) gjatë periudhës 2013–2022 ka qenë 10 deri në 20 për qind.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Photochemical & Photobiological Sciences” bazohet në të dhënat e 40 stacioneve të matjes së rrezatimit UV në 19 vende evropiane, të mbledhura për një periudhë dhjetëvjeçare.
Sipas studiuesve rezultatet tregojnë për herë të parë se rritja e rrezatimit UV, e vërejtur më parë në disa vende të veçanta, mund të konstatohet në zona më të gjera të Evropës.
Më pak re, më shumë rrezatim UV
Një nga faktorët kryesorë që lidhet me këtë zhvillim është pakësimi i reve mbi Evropë. Sipas ekspertëve për këtë pakësim kanë ndikuar ndryshimet klimatike.
Kurse ndryshimet në shtresën e ozonit duket se kanë luajtur një rol më të vogël në rritjen e rrezatimit UV të matur në sipërfaqen e Tokës.Studimi ka kombinuar matjet e drejtpërdrejta nga stacionet tokësore me të dhëna satelitore për rrezatimin në mbarë botën. Në hulumtim kanë marrë pjesë më shumë se 50 studiues nga institucione të 19 vendeve evropiane.
Rrezik më i madh për lëkurën dhe sytë
Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen nga Rrezatimi (BfS) paralajmëron se rritja e ekspozimit ndaj rrezatimit UV përbën një rrezik në rritje për shëndetin e popullsisë.
Rrezatimi UV konsiderohet shkaku kryesor i kancerit të lëkurës dhe mund të shkaktojë gjithashtu dëmtime të syve.
Në Gjermani kanceri i lëkurës është ndër llojet më të shpeshta të kancerit. Në Bashkimin Evropian diagnostikohen çdo vit rreth 150 mijë raste të reja melanome.
Ekspertët theksojnë se mbrojtja nga dielli po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, veçanërisht gjatë periudhave me indeks të lartë UV.
Matje afatgjata dhe më shumë gjelbërim
Studimi nënvizon rëndësinë e monitorimit afatgjatë të rrezatimit UV në Evropë. Të dhënat e vazhdueshme ndihmojnë shkencëtarët të identifikojnë dallimet rajonale, ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe tendencat që mund të kenë pasoja për shëndetin.
Presidentja e BfS-së, Inge Paulini, thekson se matjet afatgjata dhe të vazhdueshme janë thelbësore për të kuptuar më mirë këto zhvillime dhe për të vlerësuar rreziqet shëndetësore.
Ekspertët kërkojnë gjithashtu masa më të mira mbrojtëse për popullsinë. Investimet në hapësira të gjelbra urbane dhe krijimi i më shumë zonave me hije mund të ndihmojnë si për mbrojtjen e njerëzve nga temperaturat e larta dhe nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit UV.
Studiuesit rekomandojnë që të forcohet monitorimi i rrezatimit UV në mënyrë që ndryshimet afatgjata të mund të dokumentohen dhe të merren masa më efektive për mbrojtjen e shëndetit publik./DW
and then