
Pio Esposito dhe Interi do të vazhdojnë rrugëtimin së bashku. Sulmuesi i ri zikaltër ka firmosur kontratën e re me klubin, duke zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2032.
Marrëveshja e re parashikon edhe një rritje të ndjeshme të pagës për 21-vjeçarin, i cili do të përfitojë rreth 2.5 milionë euro neto në sezon, shifër që me bonuset mund të arrijë deri në 3 milionë euro.
Një sinjal i qartë i besimit që Interi ka ndaj sulmuesit, i cili konsiderohet një nga elementët mbi të cilët klubi dëshiron të ndërtojë të ardhmen. Cristian Chivu e ka aktivizuar Espositon titullar në të dyja ndeshjet e para të kampionatit, përkrah Lautaro Martinez.
“Jam shumë i lumtur. Është një moment dhe një objektiv i rëndësishëm, por duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të mos kënaqemi kurrë”, u shpreh Esposito pas firmës.
Paraqitjet e tij kanë tërhequr interesin e disa klubeve europiane, veçanërisht nga Anglia, por për Interin sulmuesi konsiderohet i pashitshëm.
Esposito po konfirmon gjithashtu potencialin e tij me statistika mbresëlënëse. Ai është lojtari i katërt në historinë e Interit që ka shënuar të paktën pesë gola në Serie A përpara moshës 21-vjeçare. Me kombëtaren italiane ka arritur gjithashtu në kuotën e pesë golave, duke barazuar Gianni Rivera, ndërsa vetëm legjenda Giuseppe Meazza kishte bërë më mirë në këtë moshë.
and then