
Federata Shqiptare e Futbollit vijon angazhimin për mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Luginën e Preshevës, përmes projektit për ndërtimin e dy fushave moderne të futbollit, një në Komunën e Preshevës dhe një në Komunën e Bujanocit.
Kjo nismë vjen në vijim të bashkëpunimit që FSHF ka ndërtuar prej vitesh me komunitetin e futbollit në Luginë, duke e mbështetur atë me materiale sportive, uniforma dhe aktivitete të ndryshme për fëmijët. Një prej këtyre aktiviteteve ishte edhe turneu i organizuar vitin e kaluar, ku morën pjesë futbollistë të vegjël nga Lugina e Preshevës dhe diaspora e saj.
Gjatë kontakteve të vazhdueshme me komunitetin e futbollit dhe përfaqësuesit e dy komunave, u evidentua nevoja për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për fëmijët dhe të rinjtë që duan të merren me futboll.
Pikërisht nga kjo nevojë lindi projekti për ndërtimin e dy fushave moderne, i cili tashmë është në fazën e përgatitjeve për realizim.
Në një prononcim për FSHF.org, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, thekson se kjo nismë shkon përtej ndërtimit të dy fushave sportive. Sipas tij, projekti synon t’u krijojë fëmijëve shqiptarë në Luginën e Preshevës më shumë mundësi për t’u marrë me futboll dhe për të zhvilluar talentin e tyre.
“Federata e Futbollit ka marrë një iniciativë për të ndërtuar dy fusha në Luginën e Preshevës, një në Bujanoc dhe një në Komunën e Preshevës. Kjo iniciativë nuk lindi sot, pasi bashkëpunimi dhe mbështetja jonë për fëmijët në Luginën e Preshevës kanë filluar prej vitesh, duke i mbështetur me materiale sportive dhe uniforma. Vitin e fundit organizuam edhe një turne me futbollistë të vegjël nga Lugina dhe nga diaspora e Luginës.
Gjatë diskutimeve me komunitetin e futbollit dhe komunat e Preshevës dhe Bujanocit, pamë se infrastruktura sportive ishte vërtet në nivele të padëshirueshme. Për këtë arsye, vendosëm në Komitetin Ekzekutiv që t’i mbështesim me ndërtimin e një fushe, por më vonë ky vendim u ndryshua dhe ne vendosëm ta zgjerojmë projektin”, – shprehet Presidenti Duka.
Zgjerimi i projektit në dy fusha solli edhe nevojën për një mbështetje më të gjerë financiare. Për këtë arsye, FSHF u është drejtuar bizneseve dhe donatorëve për t’u bërë pjesë e kësaj nisme dhe për të kontribuar në realizimin e saj.
Presidenti Duka falënderon bizneset që i janë bashkuar tashmë projektit, mes tyre edhe familjen Türker, e cila është bërë donatori i parë, ndërsa vlerëson gjithashtu bashkëpunimin me komunat dhe mbështetjen e komunitetit në Luginën e Preshevës.
“Ta zgjerojmë projektin, por nga ana tjetër ky projekt kërkon edhe financa. Për këtë ne iu drejtuam edhe bizneseve që të na mbështesin në iniciativën tonë, sepse për buxhetin tonë është vërtet një gjë që na rëndon shumë. Disa nga bizneset na janë përgjigjur pozitivisht për ta mbështetur projektin dhe për ta finalizuar atë.
Unë dua t’i falënderoj ato biznese që na kanë mbështetur. Në të ardhmen do të zhvillojmë aktivitete, promovime apo edhe inaugurimin e fillimit dhe përfundimit të punimeve bashkë me to. Dua të falënderoj edhe komunat për bashkëpunimin dhe të gjithë ata që kanë mbështetur këtë projekt nga Lugina e Preshevës.
Kjo nuk është vërtet një detyrë institucionale e Federatës, sepse ne duhet të organizojmë dhe të mbështesim futbollin brenda kufijve shtetërorë shqiptarë. Por është një detyrë morale e jona për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve tanë. Në fund të fundit, e kemi një obligim moral që t’i ndihmojmë ata për të qenë sa më shumë afër futbollit”, – tha Presidenti Duka.
Projekti i FSHF-së synon kështu të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e futbollit të moshave në Preshevë dhe Bujanoc, duke u dhënë fëmijëve dhe të rinjve më shumë hapësira për të ushtruar sportin dhe për të ndjekur ëndrrat e tyre përmes futbollit.
Për realizimin e projektit, FSHF do të financojë ndërtimin e bazamentit, vendosjen e tapetit sintetik sipas standardeve të FIFA-s dhe pajisjen e fushave me porta, ndërsa komunat do të mbulojnë ndërtimin e ambienteve të zhveshjeve dhe hapësirave mbështetëse.
Federata Shqiptare e Futbollit vijon ndërkohë ftesën e hapur për bizneset, donatorët dhe të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë nismë, e cila synon t’i japë një mundësi më shumë fëmijëve shqiptarë në Luginën e Preshevës për të luajtur, për t’u zhvilluar dhe për të qenë sa më pranë futbollit.
and then