Tentativë vrasjeje, drogë dhe municion luftarak, arrestohen në Itali dy shqiptarë (Detajet)

Dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Itali në kuadër të dy fazave të reja të operacionit të koduar “The Wanted”.

Arrestimet u kryen pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Romës. Njëri prej të arrestuarve, Muhamet Bedulla, 33 vjeç, është dënuar me 10 vite burg për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Sipas Policisë së Shtetit, në vitin 2017 ai plagosi tre herë me thikë një person me të cilin ishte konfliktuar.

Në pranga ka rënë edhe U. B., 26 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën “Arrest në burg” për shitje narkotikësh dhe posedim të paligjshëm të municionit luftarak. Autoritetet shqiptare dhe italiane vijojnë procedurat për ekstradimin e dy të arrestuarve drejt Shqipërisë.

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit/Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”.

Arrestohen në Itali, 2 shtetas të dënuar/akuzuar për tentativë vrasjeje me mjet prerës, shitje të lëndëve narkotike dhe posedim të kundërligjshëm të municionit luftarak.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët italianë, konkretizuar nëpërmjet koordinimit operacional dhe informativ ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Romës, u finalizuan 2 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”, të cilat rezultuan me arrestimin në Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, të 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Konkretisht, u arrestuan shtetasit:

-Muhamet Bedulla, 33 vjeç, të cilin Gjykata e Korçës, në vitin 2018, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Në vitin 2017, ky shtetas ka tentuar të vrasë shtetasin A. S. (babai i shtetasit me të cilin ishte konfliktuar në Korçë), të cilin e ka plagosur tri herë me mjet prerës (thikë). Nga dënimi 33-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet dhe 4 muaj burgim;

-U. B., 26 vjeç, të cilit Gjykata e Elbasanit, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, shtetasi U. B. është kapur duke shitur lëndë narkotike Cannabis Sativa, dhe akuzohet se ka mbajtur në banesë, sasi të konsiderueshme fishekësh luftarakë dhe 2 krehra pistolete.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë të bashkëpunojnë për të finalizuar procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×