“Rama e njohu Hysenin me Ergys Agasin”, Basir Çollaku: Rrezikojmë sanksione nga NATO! Ja diskutimi i Ron Yeffet në Kryeministri për trafikun e armëve

I ftuar në studion e emisionit “Minuta e Parë” në News24, gazetari dhe hulumtuesi Basir Çollaku ka bërë një autopsi të hollësishme të arrestimit të ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, duke zbardhur prapaskenat e përplasjeve brenda kabinetit qeveritar dhe rreziqet gjeopolitike për Shqipërinë.

Çollaku nënvizoi se dyshimet për Hysenin kanë qenë prezente prej kohësh, duke kujtuar shkarkimin e saj nga Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës për shkak të lidhjeve me Beogradin, si dhe lëvizjet e saj të fundit në Azerbajxhan e përdorimin e mjeteve apo komunikimeve me pajisje nga vende jopartnere.

“Përfshirja e zonjës Hyseni ka gati një vit. Kthimi i saj nga Baku ku gjendej në një takim të drejtuesve të shërbimeve azerbajxhanase, ardhja këtej me targa serbe, telefona grekë e rusë, përforcon dyshimet e hedhura më parë që nga detyra e saj në Kosovë dhe shkarkimi për lidhje me Beogradin. Rama e mori në Shqipëri për ta emëruar në krye të SHISH-it… Mbërritja e saj aty dhe ajo çfarë ka ndodhur në 1200 e sa ditë janë gjëra të rënda për sigurinë kombëtare.”

Lidhur me marrëdhënien mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, gazetari Çollaku sqaroi se skema funksiononte në mënyrë të përmbysur, ku drejtuesja e shërbimit sekret informonte biznesmenin dhe jo e kundërta. Ai zbardhi edhe debatin konfidencial mes kryeministrit dhe Hysenit përpara ndërhyrjes së SPAK-ut.

“Rama ka pasur një bisedë disa kohë më përpara, i ka kërkuar dorëheqjen dhe ajo ka refuzuar. Në debatin e tyre për largim, ajo i ka thënë: ‘Ju më keni njohur me Ergysin’. Rama ka dashur të bëjë skemën e gjithëhershme të largimit të personit në shënjestër të SPAK-ut që ajo të hetohej si ‘ish-zyrtare’.”

“Por kjo nuk është vetëm Hyseni. Në këtë rrjet keni ish-drejtorin e përgjithshëm të policisë Ilir Proda, keni Laboratorin Shkencor ku prodhohen ekspertizat për armët, ADN-të dhe gjurmët e gishtave. Ky rrjet aksesonte informacion të rëndësishëm, ndërsa Rama përpiqet të shmanget duke thënë ‘se lexoja unë por shefja e kabinetit’, e cila as nuk ka certifikatë sigurie për ato zarfe.”

Sipas gazetarit, prapaskenat e SHISH-it lidhen drejtpërdrejt me dosje të tjera të nxehta të trafikut ndërkombëtar, përfshirë bisedat me Ron Yeffet.

“Rama dhe Ron Yeffet janë sherrosur jo pak në kryeministri për një histori të trafikut të armëve, për një ngarkesë të një anijeje të ndaluar në Spanjë me 81 kontejnerë. Më pas Nufi bëhet Ministër i Mbrojtjes. Çdo shefe shërbimi ka pasur dijeni dhe ka çuar njerëz të saj për ta shoqëruar ngarkesën.”

Në përmbyllje, Çollaku hodhi poshtë pretendimet se çështja lidhet me motive personale ose romancë, duke e cilësuar si një orvatje për të fshehur bashkëpunimin me kartelet e Amerikës Latine. Ai paralajmëroi pasoja të rënda institudionale nga aleanca e NATO-s.

“Historia rozë u sajua si krim pasioni për të shmangur të vërtetën e madhe. Aty ka informacion të klasifikuar për banda që bashkëpunojnë me Kolumbinë, Ekuadorin, Venezuelën e Meksikën, ku informacionet konvertoheshin për të fikur radarët si në kohën e Tahirit. Historia njeh vetëm shefin e shërbimit të Ruandës dhe Kazakistanit të arrestuar në detyrë, dhe tani Vlora Hysenin.”

“Unë dyshoj se aleanca e NATO-s, duke parë se sa thellësisht organizatat kriminale kanë pasur akses te ky institucion, mund të marrë sanksione ndaj Shqipërisë, duke na kaluar në një pozicion pasiv, pa vendimmarrje e pa të drejtë vote,” përfundoi gazetari Basir Çollaku.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×