
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka mbajtur fjalën e tij në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve të Republikës, ku një nga çështjet kryesore ishte zgjedhja e tre anëtarëve të rinj gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sadushi tha se kjo zgjedhje nuk duhet parë thjesht si zëvendësimi i tre vendeve në KLGJ, por si një vendim që do të ndikojë në mënyrën se si do të qeveriset sistemi gjyqësor në vitet e ardhshme. Ai theksoi se, përpara se gjyqtarët të votojnë, duhet të reflektojnë se çfarë kanë pritur nga KLGJ-ja, çfarë kanë marrë prej saj, çfarë nuk ka funksionuar dhe çfarë lloj Këshilli i nevojitet drejtësisë në të ardhmen.
“Kam mbështetur KLGJ-në në ato raste kur ka bërë atë që duhet, por kam ngritur edhe kritika kur ritmi, vendimmarrja apo rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e nevojshëm”, tha Sadushi, duke theksuar se institucionet mbrohen duke pranuar dhe korrigjuar dobësitë dhe jo duke heshtur përballë tyre. Sipas Sadushit, mandati i KLGJ-së është zhvilluar në një periudhë të vështirë për sistemin e drejtësisë, e shoqëruar me pasojat e procesit të vettingut, mungesën e gjyqtarëve, riorganizimin e hartës gjyqësore dhe vështirësitë në emërime, promovime, transferime dhe vlerësime. Ai vlerësoi përpjekjet e bëra, por nënvizoi se nevojiten vendimmarrje më të shpejta dhe vëmendje më e madhe ndaj problemeve konkrete të gjykatave.
Sadushi tha se, tetë vite pas krijimit të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, suksesi nuk duhet të matet vetëm me ligjet apo procedurat e miratuara, por me mënyrën se si këto institucione funksionojnë dhe me rezultatet që prodhojnë. “KLGJ-ja ka përgjegjësi për funksionimin dhe qeverisjen e duhur të gjyqësorit”, tha ai, duke shtuar se pyetja kryesore duhet të jetë se çfarë ka ndryshuar realisht në aftësinë e gjykatave për të dhënë drejtësi cilësore dhe në kohë. Në fjalën e tij, Sadushi renditi edhe nevojat konkrete të sistemit gjyqësor. Sipas tij, gjykatat kanë nevojë për numër të mjaftueshëm gjyqtarësh, administratë profesionale, emërime në kohë të drejtuesve dhe kancelarëve, këshilltarë dhe staf mbështetës, teknologji moderne, siguri, ambiente të përshtatshme dhe financim të mjaftueshëm.
Ai paralajmëroi se vonesat në vlerësimin e gjyqtarëve, vendet vakante në drejtimin e gjykatave dhe ngarkesa e lartë e dosjeve ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit. Sadushi u ndal edhe te siguria e gjyqtarëve, duke kujtuar se më 6 tetor bëhet një vit nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, teksa ishte në detyrë. “Siguria e çdo gjykate duhet të merret seriozisht”, tha Sadushi, duke ngritur pyetjet se çfarë masash janë marrë, ku janë boshllëqet dhe kush mban përgjegjësi për to. Sipas tij, kërcënimi ndaj një gjyqtari për shkak të detyrës nuk është thjesht problem i sigurisë së një individi, por prek vetë drejtësinë.
“Siguria, burimet njerëzore, infrastruktura, teknologjia dhe financimi nuk janë çështje komoditeti. Janë kushte për funksionimin e drejtësisë”, theksoi ai. Sadushi kërkoi që KLGJ-ja të jetë në gjendje t’i identifikojë problemet që në fazat e para, t’i bëjë ato të qarta, të kërkojë burimet e nevojshme dhe të propozojë zgjidhje konkrete, duke bashkëpunuar deri në arritjen e rezultateve. Duke iu drejtuar gjyqtarëve që do të zgjedhin tre anëtarët e rinj të KLGJ-së, Sadushi tha se kandidatët duhet të vlerësohen jo vetëm për aftësitë profesionale dhe integritetin, por edhe për aftësinë për të dëgjuar, për të argumentuar, për të marrë vendime së bashku me të tjerët dhe për të kuptuar problemet reale të gjykatave.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Sadushi ia kushtoi edhe marrëdhënieve mes institucioneve të drejtësisë dhe pushteteve të tjera. Ai tha se pavarësia institucionale testohet pikërisht në momentet kur ka mosmarrëveshje dhe se institucionet duhet të mbrojnë kompetencat e tyre përmes mjeteve kushtetuese dhe dialogut. Sa i përket ligjit për pagat e magjistratëve, Sadushi tha se, për sa kohë ligji dhe pretendimet kushtetuese lidhur me të janë para Gjykatës Kushtetuese, kjo çështje nuk mund të zgjidhet përmes një tryeze tjetër. “Kushtetuta nuk negociohet dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu”, u shpreh Sadushi, duke shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet dhe të zbatohet.
Megjithatë, ai tha se dialogu institucional duhet të mbetet i hapur. Sipas Sadushit, ftesa e kryeministrit për drejtuesit e institucioneve të drejtësisë për t’u ulur në një tryezë konsultimi mund të shërbejë për diskutimin e politikave të pagave dhe mënyrës së përcaktimit të tyre, por pa cenuar kompetencat kushtetuese të institucioneve. “Dialogu nuk do të thotë nënshtrim”, tha Sadushi, duke argumentuar se ai duhet të shërbejë për mbrojtjen e qëndrimeve institucionale me argumente, dëgjimin e pikëpamjeve të ndryshme dhe gjetjen e hapësirave për bashkëpunim brenda Kushtetutës. Ai propozoi që dialogu të mos kufizohet vetëm te pagat, por të shtrihet edhe te numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendet vakante, ngarkesa e çështjeve, kohëzgjatja e proceseve, administrata, teknologjia, infrastruktura, siguria dhe financimi i qëndrueshëm i sistemit të drejtësisë.
Sadushi foli për nevojën e një “Tabele për funksionimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë”, ku këto probleme të trajtohen në mënyrë të përbashkët dhe institucionale. “Pushtetet janë të ndara, por shteti është një. Qytetari është i njëjtë”, tha Sadushi, duke theksuar se qytetarët nuk janë të interesuar për ndarjen e kompetencave apo buxheteve mes institucioneve, por presin drejtësi cilësore, në kohë dhe me dinjitet. Në fund të fjalës së tij, Sadushi u bëri thirrje gjyqtarëve që zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të KLGJ-së ta bëjnë përmes votës personale dhe të fshehtë, duke u bazuar te përvoja, gjykimi, idetë dhe aftësia e kandidatëve për të kuptuar nevojat e gjykatave. Ai nënvizoi se përgjegjësia për mënyrën se si qeveriset gjyqësori nuk i përket vetëm institucioneve, por është një përgjegjësi që lidhet me të gjithë sistemin.
and then