
Detaje të reja dalin në dritë nga ekspertiza balistike për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, ku humbi jetën 36-vjeçari me origjinë shqiptare, Gjovalin Lazri.
Sipas rezultateve paraprake të ekspertizës, të raportuara nga mediat italiane, distanca nga e cila u kryen të shtënat dyshohet të ketë qenë më pak se 14 metra.
Për ngjarjen po hetohet Roberto Mollo, 35 vjeç, pronari i banesës ku ndodhi incidenti, i cili dyshohet se ka hapur zjarr pasi ka dëgjuar zhurma dhe ka konstatuar praninë e personave në pronën e tij.
Gjatë ekspertizës janë gjetur 12 gëzhoja të grumbulluara në një zonë të vetme të banesës. Ky element po analizohet nga ekspertët për të përcaktuar pozicionin nga i cili janë kryer të shtënat dhe trajektoren e plumbave.
Në vendngjarje janë gjetur gjithashtu tre elektrik dore, njëri prej tyre pranë trupit të 36-vjeçarit shqiptar. Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, Mollo ishte zgjuar nga zhurmat që vinin nga jashtë dhe më pas kishte dalë drejt ballkonit të katit të parë.
Nga ky pozicion, sipas hipotezës së hetimit, ai ka qëlluar në drejtim të dritave të elektrikëve të personave që ndodheshin në pronë. Një prej plumbave goditi Lazrin në qafë, duke i shkaktuar plagën fatale.
Ekspertiza balistike zgjati më shumë se pesë orë dhe kishte si qëllim përcaktimin e trajektoreve të plumbave, distancës së të shtënave dhe pozicioneve të personave në momentin e ngjarjes. Për këtë arsye u kryen edhe të shtëna provë dhe simulime në vendngjarje.
Në hetim janë përfshirë ekspertë të prokurorisë, të mbrojtjes së Roberto Mollos dhe të familjes së viktimës. Prokuroria e Astit po vijon hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa Mollo është nën hetim për vrasje.
Hetuesit pritet të rikthehen në vendngjarje gjatë natës për të verifikuar kushtet e ndriçimit dhe shikimit në një situatë sa më të ngjashme me atë të natës kur ndodhi ngjarja.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 20 shtatorit, kur disa persona dyshohet se hynë në pronën e familjes Mollo. Pas të shtënave, 35-vjeçari telefonoi vetë numrin e emergjencës 112 dhe njoftoi autoritetet se kishte qëlluar një person, duke pretenduar se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Hetimi vijon për të përcaktuar saktësisht dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
and then