
Kosova U21 ka shënuar fitoren e dytë rresht në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2027.
Dardanët e rinj triumfuan 2:1 ndaj Qipros, të mërkurën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke përmbysur rezultatin në pjesën e dytë.
Qipro kaloi në epërsi në minutën e 52-të me Savvas Kontopoulos, por Kosova reagoi fuqishëm dhe brenda shtatë minutash e përmbysi rezultatin.
Hekuran Berisha e barazoi rezultatin në minutën e 69-të nga pika e bardhë, derisa në minutën e 76-të Lirim Jashari realizoi për 2:1, pas asistimit të Berishës.
Në fund, Qipro mbeti me nëntë futbollistë në fushë, pasi Georgios Angelopoulos u përjashtua në minutën e 78-të, ndërsa Zacharias Ioannides në minutën e 85-të.
Kjo ishte ndeshja e parafundit e Kosovës në Grupin A kualifikues për “Euro 2027”. Pas nëntë ndeshjeve, Kosova ka grumbulluar 14 pikë dhe renditet në vendin e katërt. Finlanda kryeson grupin me 22 pikë, një më shumë se Spanja, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Rumania është në vendin e tretë me 16 pikë, ndërsa Qiproja ka tri dhe San Marino nuk ka pikë.
Kosova nuk i ka më mundësitë për kualifikim, por në ndeshjen e fundit do të synojë ta mbyllë këtë cikël me fitore dhe të luftojë për pozitën e tretë në grup.
Dardanët U21 ndeshjen e fundit e zhvillojnë më 6 tetor ndaj Finlandës, në ora 19:00.
and then