
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me kërcënimin ndaj një biznesmeni në Peshkopi, ngjarje për të cilën është arrestuar 21-vjeçari Engjëll Karoshi. I riu ka pranuar në dëshminë e tij para hetuesve se është autori i kërcënimit, ndërsa ka deklaruar se gjithçka e ka bërë në formë presioni për t’i marrë paratë biznesmenit, me të cilin kishte njohje.
Sipas dëshmisë së tij, Karoshi e njihte biznesmenin pasi kishte shoqëri me djalin e tij. 21-vjeçari dyshohet se ka vendosur kutinë që pretendohej se përmbante lëndë plasëse në një cep të karburantit, pasi kishte shkuar aty në këmbë.
Pas vendosjes së kutisë, i riu ka hequr rrobat që kishte veshur dhe i ka hedhur në një kosh, ndërsa më pas është rikthyer pranë karburantit. Ai ka qëndruar aty si spektator, duke parë ndërhyrjen e policisë dhe shpërthimin e telekomanduar të kutisë së dyshimtë.
Fillimisht, Karoshi dhe disa persona të tjerë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Hetuesit kanë nisur më pas verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë.
Pas kqyrjes së dhjetëra kamerave, policia ka mundur të rindërtojë lëvizjet e autorit dhe të identifikojë 21-vjeçarin si personin që kishte vendosur kutinë kërcënuese.
Ndërkohë, në letrën e lënë bashkë me kutinë, autori kishte kërkuar një shumë prej 50 mijë eurosh dhe kishte përcaktuar edhe adresën ku duhej të transferoheshin paratë në Bitcoin.
Kutia u hap dhe u neutralizua nga specialistët e repartit RENEA, ndërsa nga verifikimet rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë plasëse. Hetimet për ngjarjen vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
and then