Ditmar Bicaj e kishte ndarë mendjen që do të qëndronte në Vlorë. Që në momentin kur pranoi të luante në Kategorinë e Dytë, i vendosi vetes një qëllim: ta çojë Flamurtarin në elitë. Misioni është i përbashkët edhe me lojtarët e tjerë sigurisht, por mbi të gjitha shkon konform me objektivin e vendosur nga klubi. E ka të qartë se gara do të jetë e ashpër me emrat “big” të futbollit shqiptar, por paralajmëron se do t’i kalojnë që të gjitha pengesat. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mbrojtësi lezhjan flet edhe për merkaton e bërë deri më tani.
Edhe një sezon tjetër te Flamurtari, pse e morët këtë vendim?
Nuk është vendim i ri ky. I kisha idetë të qarta që verën e shkuar, erdha për të qëndruar gjatë. I jam bashkëngjitur Flamurtarit në ditët më të vështira të tij, për ta rikthyer në Superiore. Këtij klubi nuk i ka hije kjo lojë, ndaj do e çojmë aty ku i takon dhe e ka vendin. Kështu që jo vetëm unë, por edhe 6-7 lojtarë të Superiores, si Ribaj, Gocaj, Pjeshka, Liçaj apo Ramadani i jemi bashkuar këtij projekti, kështu që shpresojmë shumë që ta rikthejmë aty ku i takon.
Janë bërë disa afrime në merkato, por a do të kemi surpriza?
Presidenti dhe bordi po merren me merkaton. Di që po bëhet një punë serioze dhe kolosale. Më shumë nuk mund të them, pasi kjo është pjesë që u takon drejtuesve më të lartë. Por ne mirëpresim çdo lojtar cilësor, pasi kualiteti i tyre do t’i bënte mirë ekipit.
Çfarë vlerësimi keni për tre afrikanët që i janë bashkuar Flamurtarit këto ditë?
Ata i janë bashkëngjitur ekipit prej katër ditësh. Opinioni i parë, shumë pozitiv. Shpresoj vetëm të ambientohen sa më shpejt me Shqipërinë, Vlorën dhe ekipin. Cilësia nuk u mungon me aq sa kam parë. Mendoj se do të na ndihmojnë shumë në objektivin që ne kemi.
Drejtuesit ruajtën grupin e lojtarëve. Si e komentoni këtë gjë?
Ruajtja e grupit dhe e boshtit të lojtarëve është një faktor shumë pozitiv. Tashmë edhe ne njihemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Kemi ndërtuar një lloj mekanizimi të mënyrës së të luajturit. Kemi një vit bashkë. Ky është një “bonus” që ekipet e tjera nuk e kanë.
Kampionati do të jetë shumë i fortë. Sa të bindur jeni për realizimin e objektivit?
Gara do të jetë shumë e fortë, por Flamurtari nuk e diskuton ngjitjen në elitë. Jemi një ekip shumë i mirë. Flamurtari ka një ekip Superioreje dhe me bindje të plotë them se do jetë aty ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar për 100-vjetorin e klubit. Ne kemi një kod dhe ai është “2023”. Jemi projektuar për elitën dhe ashtu do të jetë. Është ruajtur stafi teknik, grupi dhe po bëhet një punë cilësore në merkato. Të gjithë faktorët janë shumë pozitivë dhe mezi po presim të fillojë kampionati.
– Arena e Lajmit

Loading…