
Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me Amnistinë Fiskale dhe Pasaportat e Arta.
Me anë të një statusi në Facebook, Sula u shpreh se qeveria shqiptare e ka mendjen të vendosë gjoba intimiduese ndaj bizneseve të ndershme dhe mendon si të bëj sa më shumë para në prag zgjedhjesh lokale për të blerë votat përmes shitjes së pasaportave dhe amnistisë fiskale.
Ai solli në vëmendjen rezolutën e Komisionit Europian ku thuhet se Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve pasi do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së.
Postimi i plotë:
Dimri i acartë e me barkun boshë i shqiptarëve.
Pensionistëve të Kosovës iu rikthye sot buzëqeshja pas vendimit të qeverisë atje për të dhënë 100 euro shtesë për secilin prej tyre si masë për përballimin e inflacionit të çmimeve. Shuma prej 100 euro do të ekzekutohet në mesin e këtij muaji. Ndërkohë po këtë shumë, në muajin Nëntor do ta marrin edhe studentët. Kujtojmë që në kuadër të pakos për përballimin rritjes së çmimeve muajin e kaluar Kosova mbështeti qytetarët e saj me dyfishim të vlerës se asistencës sociale familjet që marrin këtë ndihmë. Po ashtu, nga 50 euro shtesë kanë marrë punëtorët e sektorit publik dhe nga 100 euro kanë marrë punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Sigurisht këto janë për vëllezërit tanë që jetojnë në Kosovë, por po e sjell në vëmendjen e të gjithëve për të bërë diferencën mes një kryeministri të përgjegjshëm dhe një kreu qeverie që shpenzon paratë e qytetarëve, jo për ti ndihmuar por për propagandë.
Në muajin Shtator mazhoranca bëri ndryshime në buxhetin e këtij viti. Nuk dha asnjë paketë shtesë për qytetarët por thjesht bëri indeksime që edhe ato nuk janë të barazvlefshme me inflacionin. Qeveria Shqiptare jep para sa për një kaush me fara lule dielli. 300 deri në 400 lek të vjetër në ditë për çdo pensionist apo familje në nevojë. Në muaj e barasvlershme me 12 mijë lek të vjetër.
Por siç tha ajo zonja dje që doli në protestë në Elbasan as indeksimi i pensionit nuk është ndier sepse pushteti vendor i ka rrit taksat e bashkive. Rriten taksat por shërbimet përkeqësohen. Rriten taksat por paratë merren për tendera që mbeten në letër në pushtetin lokal. Ndërkohë pensionistët dhe familjet në nevojë do kalojnë një nga dimrat më të vështirë.
Por sigurisht këto nuk i bëjnë përshtypje sulltanit i cili për qytetarët kujtohet vetëm në kohë zgjedhjesh sepse tani ka mendjen sesi të vendos gjoba intimiduese ndaj bizneseve të ndershme sesi ti rrisë gjobat dhe mendon si të bëj sa më shumë para në prag zgjedhjesh lokale për të blerë votat përmes shitjes së pasaportave dhe amnistisë fiskale.
Për të dyja këto të fundit siç kemi deklaruar edhe në postimet e mëparshme që janë nisma që minojnë ekonominë dhe minojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE, sot na e konfirmoi Komisioni Europian në Rezolutë ku shkruhej tekstualisht “Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së”. Ndërsa vijon me kritika për amnistinë fiskale.
Arena e Lajmit