Tirana “ka mbyllur gojën” para ndeshjes me Zrinjskin.

Si asnjëherë tjetër bardheblutë nuk zhvillojnë konferencë për shtyp në Bosnjë dhe nuk flasin.
Gjithsesi, bardheblutë stërviten në stadiumin e ndeshjes dhe janë gati për të qenë në fushën e lojës sot në orën 21:00.
Nga sa mësohet, ekipi ka dashur që të mos shpërqendrohet nga deklaratat para ndeshjes dhe këtë herë të provojë qetësinë në grup. Me skuadrën është bashkuar Hasani, i cili është bërë baba.
Nga ana tjetër, të gjithë drejtuesit e skuadrës janë në Bosnjë. Shehi ka kërkuar përqendrim, ndërsa skuadra ka punuar e qetë për një orë në stadiumin e ndeshjes. Tirana do t’i japë edhe një shans skuadrës në sfidën e dytë me Zrinjskin.
Numri një i bardhebluve, Refik Halili, mësohet të ketë kërkuar një “all in” në sfidën e dytë të enjten në Bosnjë. Sipas asaj që është bërë e ditur, Halili realisht për të dyja sfidat e Europës ka qenë i pakënaqur me atë që kanë dhënë lojtarët në fushën e lojës.
Ama ai kërkon që të mos prishë qetësinë e grupit dhe të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe për 90 minutat e Bosnjës. Në rast kualifikimi, skuadra mund të ketë premio, ashtu siç pati në dispozicion ndaj ndeshjeve me Dudelanzhin.
DILEMAT – Dilemat e vetme të Orges Shehit është Hasani apo De Silva në sulm si dhe nëse luajnë Totre, Toshevski apo Qefalija. Trajneri Shehi dje ka provuar të dyja formacionet.
Tirana pritet të luajë ndaj boshnjakëve me një 11-she që fillon nga Bekaj në portë, Toshevski në të djathtë me Huseinin që mund të fitojë një fanellë titullari, Behiratçe, Najdovski e Ismajlgeci në mbrojtje.
Në mesfushë, Aleksi, Totre e Limaj.
Sulmi është i përbërë nga treshja Xhixha, Seferi dhe De Silva që është gati për të qenë në fushën e lojës.
Megjithatë, formacioni mund të ndryshojë nëse Shehi aktivizon Hasanin dhe Qefalinë që në njëfarë mënyre është gati.
Ky i fundit luan djathtas, ndërsa në qendër spostohet Seferi në vend të De Silvës që ulet në stol.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
and then