
Detaje të reja janë zbardhur nga kapja e autorëve të vrasjes së Edmond Papës. Përveç informacioneve në rrugë operative, pamjet e kamerave te sigurisë në zonë ne rrugën “Fadil Bodinaku” kanë ndihmuar grupin hetimor të zbulojnë autorin dhe itinerarin që ka ndjekur ky i fundit deri në momentin që ekzekutoi Edmond Papën brenda lokalit që ndodhej pranë banesës së vëllait të tij.
Kamerat e sigurisë kanë kapur edhe automjetin tip “Audi”, me të cilin autori është ndihmuar të largohet.
Siç ndodh në çdo vrasje autorët gjithmonë djegin automjetin që përdorin në vrasje, në këtë rast dy autorët nuk e kanë djegur automjetin tip “Audi”, kjo ka ndihmuar policinë që të gjejë automjetin që kanë përdorur autorët dhe të zbulojë prova të rëndësishme për implikimin e dy autorëve.
Grupi hetimor ka pamje nga kamerat e sigurisë ku largohet autori dhe personat e tjerë të përfshirë në organizimin e vrasjes, por edhe pamje kur gjatë ditës së ngjarjes ku autorët kanë ndjekur dhe vëzhguar lëvizjet e Edmond Papës, i cili ka udhëtuar nga Saranda për në Tiranë.