“Juventus gjithmonë më lart se Inter-i”, Edon Zhegrova sheh nga e ardhmja: Me Kosovën do të realizojmë gjëra të mëdha

Edon Zhegrova u aktivizua vetëm në minutat e fundit të sfidës së Kosovës ndaj Izraelit, e mbyllur në barazim pa gola, në kuadër të Grupit 3 të Ligës B të Nations League.

Sulmuesi anësor kosovar hyri në fushë për rreth 15 minuta, ndërsa pas ndeshjes foli për vendimin e trajnerit Franco Foda për ta lënë në stol.

“Të nisja nga stoli ishte një vendim i trajnerit. Mezi po pres ndeshjen e ardhshme dhe shpresoj të jem titullar dhe të luaj”, u shpreh Zhegrova.

Sfida e radhës për Kosovën do të jetë ndaj Austrisë, kryesuese e grupit. Përballë një kundërshtari të fortë, Zhegrova shfaq besim te përfaqësuesja dardane.

“Besoj te kombëtarja ime. Kemi lojtarë cilësorë, do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi mundësi të mira për të fituar. Do të bëjmë gjithçka për të dalë të parët në grup”, deklaroi ai.

Në intervistën ekskluzive për Sportmediaset, Zhegrova foli edhe për aventurën e tij me Juventusin, duke theksuar kënaqësinë që është pjesë e klubit torinez.

“Jam vërtet shumë i lumtur që jam te Juventusi. Është një klub i madh. Për mua është një privilegj të jem pjesë e këtij klubi. Do të jap maksimumin tim sa herë që të zgjidhem për të luajtur”, tha 25-vjeçari.

Zhegrova pranoi se gjatë merkatos së verës ishte pranë largimit, por në fund vendosi të qëndrojë në Torino.

“Qëndrova sepse e dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe me të. Kur më blenë, isha shumë i lumtur dhe nuk doja ta lija Juventusin pa lënë gjurmën time. Prandaj vendosa të qëndroj dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha për këtë klub”, u shpreh kosovari.

Pavarësisht dëshirës për të kontribuar sa më shumë, Zhegrova nuk do të jetë pjesë e Juventusit në Europa League, pasi nuk është përfshirë në listën e kompeticionit.

Për këtë vendim, lojtari tregohet i qartë dhe respekton zgjedhjen e trajnerit Luciano Spalletti.

“Është një zgjedhje e Spallettit. Çfarëdo vendimi që të merret, unë do të bëj më të mirën për klubin dhe respektoj çdo vendim”, deklaroi ai.

I pyetur për objektivat e Juventusit në kampionat, Zhegrova nuk e fshehu ambicien për të luftuar për titullin.

“Kemi një ekip të madh dhe një skuadër shumë të mirë. Do të shohim ndeshje pas ndeshjeje, me objektivin për të fituar çdo ndeshje që luajmë. Mendoj se i kemi cilësitë për ta bërë këtë. Në fund do të nxjerrim përfundimet”, tha ai.

Në fund, Zhegrova u pyet edhe për rivalitetin me Interin, kampionin në fuqi. Përgjigjja e tij ishte diplomatike, por me një dozë humori:

“Nëse jemi më të fortë se Interi? Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”, tha Zhegrova duke buzëqeshur.

 

 

 



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×