Superliga e volejbollit të femrave do të zhvillojë sot finalen e katërt mes Tiranës dhe Skënderbeut. Por në prag të këtij takimi nuk mungojnë polemikat.
Kjo sfidë nuk do të luhet në sallën “Feti Borova” ku ishte parashikuar fillimisht, por është zhvendosur në “Asllan Rusi” në orën 19:00.
Lidhur me këto ndryshime të vendit dhe orarit nuk është pajtuar aspak Skënderbeu. Skuadra korçare, me anë të një deklarate të shefes së klubit, Tatjana Marash, thotë se po prishen rregullat e garës.
“E gjithë loja, sipas interesave të Tiranës. Këtu po prishen rregullat dhe ndershmëria e lojës dhe në këtë rast është fajtore federata në vendimmarrjen e saj.
Është një rregull që federata e ka vendosur prej vitesh, ku për çdo lëvizje në orare apo salla duhet të gjejmë mirëkuptimin me njëritjetrin”, shprehet Marash.
“Nuk mund të ndërrohet salla sot me nesër për një ndeshje finale, kjo është shkelje dhe një vendim arbitrar.
Kjo është hera e dytë që duan të bëjnë diçka të tillë, pasi në rastin e parë nuk e realizuan. Është e pafalshme dhe një precedent që nuk ka ndodhur kurrë në këto 30 vite.
Federata na thotë që salla është e zënë me një aktivitet të bashkisë, por për çdo lloj aktiviteti duhet të maten mirë kur bëjnë ndryshime të tilla për të ndryshuar një finale.
Kjo është e turpshme, pasi bëhet fjalë për investimin e një sezoni të tërë, të cilin këta duan të na e hedhin në kosh të mbeturinave”, përfundoi prononcimin e saj Tatjana Marash.
Për sa i përket serisë së finaleve, aktualisht kryeson Skënderbeu 2-1. Siç dihet, skuadra që arrin numrin e tri fitoreve shpallet kampione.
Arena e Lajmit
