Sherif Kallaku është i bindur. Tirana mbron titullin kampion. Pas golit të parë si bardheblu, mesfushori i Tiranës foli për “Panorama Sport”. Kallaku tha se kërkon që Tirana të shpallet sërish kampione, ndërkohë që fitorja i dedikohet Klevi Qefalijas.

Kujtojmë që me bardheblutë në këtë sezon do të aktivizohet mesfushori, Sherif Kallaku, i cili vjen nga radhët e Lokomotivës së Zagrebit. Duke parë nevojat e Tiranës për përforcime në mesfushë, afrimi i lojtarit me tipare ofensive, sidomos pas largimit të Totres, dukej lëvizja e duhur për kampionët.
Sherif, goli i parë me Tiranën erdhi ndaj Egnatias në një sfidë të vështirë emocionale. Opinioni juaj?
Jam shumë i lumtur për golin e parë. Po kështu, jam i kënaqur që gjej fitoren e parë me fanellën e Tiranës. Gjithashtu, edhe me lajmin e ditës, që Klevi Qefalija është jashtë rrezikut për jetën dhe drejt përmirësimit përfundimtar.
Si e patë Tiranën në 30 minuta, sepse më pas nuk luajtët futboll të qetë?
Këtë nuk e them për justifikim, sepse hasëm vështirësi gjatë takimit. Në fakt, vështirësia jonë ishte pas incidentit, sepse realisht duhet të gjenim dhe kemi gjetur shumë forcë për të luajtur. Ishte forca e karakterit të grupit që mundëm të vazhdonim lojën pas asaj ngjarjeje. Shyqyr zotit u shpërblyem me tri pikë dhe kjo fitore i dedikohet Qefalijas.
Tirana me katër pikë është një nga lokomotivat e kreut të Superiores. Titulli është i arritshëm?
Është herë për të folur për titullin. Objektivi është i qartë, duhet marrë titulli kampion sepse siç e ka thënë edhe trajneri, ne nuk duhet të fshihemi dhe duhet të shohim vetëm përpara. Kualitetet i kemi për të mbajtur titullin dhe shpresoj që në ndeshjet në vazhdim të marrim vetëm fitore.
Keni shijuar dy ndeshje me fanellën e Tiranës. Si është të jesh lojtar i bardhebluve?
Për mua është ndeshja e dytë. Jam shumë i lumtur për çdo gjë që funksionon këtu te Tirana. Për seriozitetin mbi të gjitha. Djemtë më kanë pritur shumë ngrohtë. Ndihem shumë mirë dhe do të jap më të mirën time për Tiranën.
Golat më duket se do të jenë të shumë këtë vit?
Për mua golat nuk janë parësorë. Më shumë kam qëllim të shërbej shokët dhe të bëj më të mirën për ekipin tim. Golat vinë natyrshëm. Shpresoj që të shënoj sa më shumë këtë sezon.
Do të luhet klasikja e Shqipërisë, Tirana-Vllaznia. Një opinion?
Na pret një ndeshje e vështirë. Dihet që ekipi i Vllaznisë është cilësor, por gjithsesi mbetet ndeshje e hapur, por ne do të kërkojmë të marrim fitoren.
Deliu, Aleksi, Berisha, ju. Tirana duket se mblodhi më të mirët?
Është e vërtetë. Konkurrenca i bën mirë ekipit. I uroj mirëseardhjen dhe të japë më të mirën për ekipin e Tiranës.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
and then