“Skaneri” i Florent Hasanit: Më e vështirë ta mbrosh titullin, pres një ftesë nga Kosova

Florent Hasani është i bindur se Tirana fiton titullin kampion. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi flet për ndeshjen me Egnatian, golin dhe objektivat personalë dhe të Tiranës. Thotë se pret një ftesë nga Kombëtarja Kosovare, ndërsa pranon se do luajë ku e vendos trajneri i Tiranës.

hasani kallaku

Klubi bardheblu afroi në verë sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës, duke përforcuar kështu repartin e avancuar në prag të ndeshjeve të Champions, por edhe për sezonin e ri. Pozicioni i tij natyral është sulmues i djathtë, por përshtatet mjaft mirë edhe si sulmues i dytë pas “pykës” ose edhe si sulmues i parë.

Florent, dy ndeshje me Tiranën, në sfidën me Egnatian shënuat gol dhe bardheblutë fituan?
Në fakt, më e rëndësishme është që Qefalijaj ka ardhur në vete, është përmendur. Pastaj goli ishte i rëndësishëm, por më gëzoi fakti që ia dedikova atij, pas asaj që ndodhi. Normalisht, sa herë që shënoj, ndihem mirë. Me golat e mi apo edhe me asiste, dua të ndihmoj ekipin çdo ndeshje.

Shpresoj që të vazhdoj kështu dhe të shënoj sa më shumë. Si e keni parë Superioren këto 180 minuta që keni luajtur?
Po është kampionat i fortë. Ka konkurrencë ka skuadra që duan të na luftojnë për titullin kampion. Besoj se ritmi është i lartë, sepse ka ekipe me shumë kualitet. Do të jetë punë e vështirë. Nuk është shëtitje, por duhet të përgatitemi maksimalisht javë pas jave. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një të jemi me këmbë në tokë pas çdo takimi.

Te Tirana titulli është detyrim, ndërsa këtë vit është dyfish më e vështirë?
Normale. Thonë që ta mbrosh titullin është më e vështirë, por besoj se me këtë ekip që ne kemi, me stafin e trajnerëve, klubin e kemi pak më të lehtë ta mbrojmë titullin. Me kualitetin që kemi brenda grupit besoj se do t’ia arrijmë qëllimit.

Në fillim ishte ndryshe, por në këtë moment që flasim, është një Tiranë e kompletuar në organikë?
Me sa e shoh skuadrën, besoj se ajo është e kompletuar në të gjitha repartet. Në çdo pozicion kemi dy lojtarë. Konkurrenca është rritur dhe po u lëndua dikush është i gatshëm tjetri ta zëvendësojë. Besoj se jemi të kompletuar.

Vllaznia?
Do të jetë një ndeshje e vështirë. Është një sfidë derbi. Vllaznia ka një grup të mirë një skuadër kualitative. Ama, ne do të hyjmë vetëm për fitore. Si në çdo ndeshje, takimin do ta marrim me qetësi. Ta analizojmë mirë dhe do të hyjmë vetëm për tri pikë.

Ju luani pas sulmuesve, sulmues i parë, djathtas. Cili është pozicioni më i mirë për ju?
Unë nuk kam një pozicion të preferuar. Në repartin e sulmit luaj kudo. Më pas është në dorë të trajnerit që të më vendosë ku kërkon ai që të luaj. Thjesht unë do të jem i gatshëm.

Nga Kosova e prisni ftesën?
E pres. Tani e kam marrë formën time sportive, jam mirë, jam i gatshëm. Do të luaj edhe këto tri ndeshje të shënoj derisa të vijë koha e kombëtareve dhe të jap maksimumin. Ftesën normalisht që e pres.

Cili është objektivi juaj individual?
Unë nuk i kam vënë vetes ndonjë objektiv sa gola do të shënoj. Momentalisht jam i fokusuar të ndihmoj ekipin dhe të shpallemi kampionë. Kjo është dëshira ime.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×