Mbetje kockore njerëzore janë gjetur sot në shtratin e lumit në Guras të Pogradecit.
Kanë qenë pikërisht punonjës të një firme private ata që kanë pikasur këto mbetje, ndërsa më pas është njoftuar policia.
Këto mbetje dyshohet t’i përkasin një shtetasi të humbur vite më parë. Por përveç kësaj policia po heton edhe në pista të tjera për të hedhur dritë mbi rastin. Sipas policisë do të vijojë puna për dokumentimin e plotë të rastit pasi mbetjet kockore do të dërgohen për ekzaminime ndërkohë që paraprakisht ajo që thotë policia është se këto mbetje kockore humane mendohet të jenë të hershme.
“Mëngjesin e sotëm në fshatin Guras, Pogradec, gjatë punës për pastrimin e shtratit të lumit të fshatit, punonjësit e një firme private, në thellësi të shtratit të lumit, kanë konstatuar mbetje kockore humane që mendohen të jenë të hershme.
Mbetjet kockore do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.
Është krijuar grupi hetimor, janë plotësuar formularët për ekzaminimin e mbetjeve kockore në Institutin e Policisë Shkencore, dhe vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti.”, thuhet në njoftimin e policisë.
()