Shqipëria po zhvillon një fazë pozitive të eliminatoreve të kualifikueseve të Euro 2024. Kuqezinjtë u mundën nga Polonia në ndeshjen e parë, ndërsa më pas fituan ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Skuadra e Sylvinhos renditet në vendin e dytë të grupit me 6 pikë, pas 3 sfidash të luajtura. Legjenda e Kombëtares, Altin Rraklli në një intervistë ekskluzive për News 24, ka dhënë mendimin e tij për çështje të ndryshme.
Rraklli, 6 pikë të plota, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, është legjitim festimi, ishin këto testet reale për të kuptuar forcën e këtij ekipi?
Jo vetëm legjitim është gëzimi i 6 pikëve. Po për mënyrën sesi u prezantua këto ndeshje, me një trajner të ri, pamë një kombëtare me një frymë tjetër dhe me një përqendrim tjetër. Më përpara shpërqendroheshim dhe e quanim ndeshjen të fituar, këtë herë nuk ndodhi diçka e tillë. Jemi të kënaqur me këto rezultate. Për fatin tonë të mirë, Polonia po shfaq dobësi. Kur të përballemi me Çekinë dhe Poloninë, mund të meritojmë finalet e Europianit.
Pesë gola të shënuar në dy ndeshje, raste pafund, çfarë të bëri më shumë përshtypje, nëse do të vendosje një notë, kush ishte lojtari më i mirë në këto dy sfida?
Lojtari më i mirë është Kombëtarja. Nuk kemi yje. Ne kishim Brojën me Hungarinë, por sërish jemi ekipi që nuk pësojmë. Unë do të veçoja Mitaj, në një formë të jashtëzakonshme. Në përgjithësi, skuadra ka bërë mirë. Ekipi është mirë fizikisht, ka harmoni dhe kimi. Unë nuk shikoj egoizëm.
Jo të gjithë e kanë luksin të analizojnë Kombëtaren, të paktë janë ata që flasin pa dorashka, mqs folën për ata që spikatën, kush të zhgënjeu Rraklli, cilat ishin pikët që stonuan, aty ku Sylvinho duhet të ndërhyrje?
Këto dy ndeshje, kombëtarja nuk lëshoi shumë mbrapa, përveçse disa raste me Ishujt Faroe. Nuk zhgënjeu askush. Edhe Uzuni nuk po vjen në lojën e vet, ai është nën presion. Edhe Hysaj ka patur aksione të mira me Moldavinë. Nuk do kapesha te ndonjë lojtar negativ, të gjithë justifikuan lojën e vet.
Rraklli, është komentuar pafund efekti i skemës, si të duket tani Shqipëria me këtë filozofi të Sylvinhos, me skemën 4-2-3-1, si të duket në raport me ekipin e Edy Reja?
Puna e skemave? Unë kam një ide timen. Çdo lojtar mund ta bëjë skemën si do vet. Kemi dy lojtarë krahu të mirë, kemi shumë forca sulmuese. Po mbështet mirë Bajrami dhe Asllani. Po të shikosh, mesfusha po kthehet mirë mbrapa dhe kjo ka të bëjë me forcën fizike. Ne po shikojmë një kombëtare sulmuese. Ndeshjet e tjera janë akoma më të vështira.
Si një ish sulmues që ke shkruar historinë në Kombëtare, dua një koment të shkurtër për këtë repart, kemi lojtarë si Cikalleshi, Uzuni, Seferi, Jasir Asani, Muçi, Sadiku etj, dhe mbi të gjitha Armando Broja. Ke do preferoje në këtë repart, cila është ofensiva ideale në sytë e Rrakllit?
Ky është një pozicion i vështirë që po më jep. Duke patur shumë lojtarë, zgjedhja është e vështirë.
Broja duhet të punojë më shumë për skuadrën, nuk duhet të jetë egoist. Duhet të pasojë të shokët. Broja mund të zgjidhë disa situata më mirë se të tjerët.
Cikalleshi ka një përvojë të madhe. Nuk ka shumë fat kohët e fundit. Lojtarët janë të një tipi pak a shumë.
()