Inteligjenca artificiale nuk përfaqëson një kërcënim për njerëzimin, sipas Presidentit të Microsoft, edhe pse ai shprehet se njerëzit duhet të jenë ata që kontrollojnë masat mbrojtëse ndaj kësaj teknologjie.
“Ne kemi nevojë për masa sigurie që do të sigurojnë që inteligjenca artificiale të mbetet nën kontrollin e njerëzve”, tha Brad Smith në një intervistë në Bruksel.
“Ne mund ta bëjmë këtë, dhe kjo është koha e duhur për t’u bashkuar dhe për të kuptuar se si. Ne duhet ta kemi atë në shumë shtresa, në mënyrë që ta mbajmë gjithmonë nën kontroll këtë teknologji. Mendoj se nëse e bëjmë këtë mirë, do të kuptojmë se ky nuk është një rrezik ekzistencial”, u shpreh ai.
Smith tha se kompania e tij deri më tani është “inkurajuar” nga legjislacioni i BE-së, i cili rregullon teknologjinë në zhvillim, por se kur bëhet fjalë për qeverisjen globale për këtë çështje, do të nevojitet një bashkëpunim më i madh për të siguruar që teknologjia të mos dalë jashtë kontrollit.