Iluzioni i krijuar në premierën e tyre në Serie A ishte ende i freskët te tifozët e “Zonjës së Vjetër”, por Bologna i ktheu shpejt me këmbë në tokë. Në “Stadium”, ekipi i Allegrit vuajti jo pak, mbase janë me fat që dolën me një pikë, pasi miqtë ushtruan shumë presion, kaluan të parët në avantazh me Ferguson në minutën e 24-të. Lajmi i mirë për torinezët është rikthimi i Vlahovic në nivele të larta.
Sulmuesi serb gjeti golin e barazimit me fillimin e pjesës së dytë, por VAR anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. Në të 80-tën, askush nuk mund të ndalte Vlahovic që me kokë barazoi shifrat në 1-1 duke i dhënë Juves një pikë, 4 në dy javët e para. Në përfundim të sfidës, Allegri nuk u ndje mirë dhe dërgoi përpara mediave zëvendësin e tij.
“Juve, asgjë e bukur”, shkruan Corriere dello Sport. “Për fat të mirë është Vlahovic”, ishte titulli i TuttoSport.
Ruan ritmin e Milanit ekipi i Garcias. Napoli siguroi fitoren e dytë radhazi duke mposhtur Sassuolon me rezultatin e pastër 2-0. Osimhen kaloi blutë në avantazh në minutën e 16-të duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Ky ishte goli i tij i tretë në dy ndeshje, po aq sa edhe Giroud. Atë që bëri nigeriani nuk e bëri dot Raspadori në pjesën e dytë duke gabuar nga 11-metra distancë. Në të 64-tën ishte kapiteni Di Lorenzo që sigloi shifrat në 2-0.
Një humbje të rëndë pësoi në këtë javë të Serie A, Lazio, me kryeqytetasit që u mposhtën në shtëpi nga Geona me rezultatin 0-1. Zero pikë për ekipin e Sarrin në këtë start sezoni në Serie A.
()