
Një 51-vjeçare gjermane është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonte, policia gjeti një armë zjarri pistoletë me municion dhe 141 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Operacioni policor u finalizua nën kodin “Risku 2”, pas kontrolleve të imtësishme të kryera nga Policia Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Gjirokastër. Automjeti dhe ruloti që drejtohej nga shtetasja gjermane A. S. u kaluan fillimisht në skaner dhe më pas iu nënshtruan kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në dalje të pikës kufitare.
Gjatë kontrollit, shërbimet e policisë zbuluan armën e zjarrit, municionin përkatës, si dhe gjashtë kavanoza e tri qese hermetike me kanabis.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma, municioni, lënda narkotike, automjeti me rulotin dhe një celular, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi
PKK Kakavijë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku 2”
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë me mulli, me municionin përkatës, dhe 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Vihet në pranga drejtuesja e automjetit.
Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje, automjetin dhe rulotin që drejtohej nga shtetasja gjermane A. S.
Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me mulli, me municionin përkatës, si dhe 6 kavanoza dhe 3 qese hermetike, në të cilat kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 141 gramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasen gjermane A. S., 51 vjeçe, drejtuese e automjetit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me mulli, me municionin përkatës, 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një automjet së bashku me rulotin dhe një celular.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe municioneve”.
and then