Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Durrës ku për shkak të postimeve denigruese në Tik Tok humbi jetën një 41-vjeçare duket se paska edhe raste të tjerë.
Policia e Elbasanit për mes një njoftimi ka bërë të ditur arrestimin e një 32-vjeçari i cili dyshohet se shantazhonte një 29-vjeçar se do të keqpërdorte fotot e tij dhe të familjarëve të tij në TikTok.
Që këto foto të mos keqpërdoreshin në profile false i riu ra “viktimë” e 32-vjeçarit duke paguar para për disa muaj. Në lidhje me këtë rast u arrestua 32-vjeçari me inicialet A. S. nga Elbasani. Policia ka sekuestruar dy celularë ndërsa materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë:
DVP Elbasan/Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, organizohet dhe finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve kundër Personit dhe Pasurisë, operacioni policor i koduar “Gjobvënia”. Kanosi për disa muaj, një 29-vjeçar, në rrjetet sociale, për të përfituar prej tij shuma parash, që të mos i keqpërdorte fotot e tij dhe të familjarëve, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari.
Sekuestrohen 2 celularë. Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit se një shtetas ishte kanosur nëpërmjet rrjeteve sociale, për dhënie pasurie, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjobvënia”, të ndjekur me metoda proaktive, për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të këtij rasti. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit dhe pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. S., 32 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
32-vjeçari ka shantazhuar për disa muaj, nëpërmjet rrjetit social “Tik-Tok”, një 29-vjeçar, se nëse ky i fundit nuk do t’i jepte para, 32-vjeçari do t’i përdorte fotografitë e 29-vjeçarit dhe të familjarëve të tij, për të krijuar profile false në rrjetet sociale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.