Deputetja e Partisë Socialiste dhe kandidate për zgjedhjet e ardhshme, Ermonela Felaj, ishte sot e ftuar në Programin e Drekës në News24.
Ajo u ndal në problematikat e denoncuara nga PD në lidhje me procesin e votës së diasporës në Greqi, për të cilën iu dorëzua edhe një kërkesë KQZ për trajtimin e veçantë të zarfeve me fletët që vijnë nga shteti fqinj.
Felaj u shpreh se të pretendosh se posta u zgjodh nga qeveria është hipokrizi pasi përzgjedhja ishte konsensuale.
Problematikat me Greqinë ajo i ka quajtur si të lidhura me sistemin e adresave në vendin fqinj, diçka që është jashtë kontrollit të institucioneve tona.
“Procesi i numërimit të jetë i rregullt, të zbatohet ligji.
Edhe kur u vendos për postën, ka qenë një vendim konsensual. DHL është një postë prestigjoze ndërkombëtare. Të thuash që posta u vendos nga qeveria është hipokrizi. Ne nuk pretendonim fshehtësi të votës për vetë mënyrën si votohet pasi nuk shkohet në qendra votimi.
Problematikat në Greqi vijnë për shkak se sistemi i adresave në shtetin fqinj nuk është i saktë.
Ajo që ka ndodhur në Greqi është objektive dhe nuk ka asnjë lidhje me ne”, tha ajo.