Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka hedhur akuza të forta ndaj Vilma Nushit gjatë një interviste në studion e News24. Sipas Vokshit, Nushi ka ushtruar presion dhe ka tentuar t’ja mbyllë gojën përmes ofertave dhe kërcënimeve ndaj saj dhe familjes së saj, madje ka vënë “gjithë shtetin në këmbë” për të hapur hetime ndaj tyre.
Vokshi deklaroi se pavarësisht përpjekjeve për ta frikësuar apo për ta çuar në Gjykatën Speciale, ajo nuk do të heshtë. Ajo paralajmëroi se është në përfundim të një kallëzimi të ri penal ndaj kryeministrit Edi Rama, ish-ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ish-ministrit Ilir Beqaj dhe Vilma Nushit. Sipas saj, Nushi ka abuzuar rëndë me skema të dyshimta biznesi. Kallëzimi do të depozitohet pas përfundimit të zgjedhjeve, shtoi deputetja.
Albana Vokshi: Ka tentuar të më mbyllë gojën zonja Nishi, pas ofertave ose presioneve që më ka bërë. Ajo e të tjerë, e të tjerë. Më ka bërë oferta për të mbyllur gojën. Apo presionet që i ka bërë familjes sime, ka vënë gjithë shtetin në këmbë për të hapur hetime, e sigurisht që nuk ia ka dalë. Kjo, sepse ne jemi lindur në një familje të ndershme, jemi rritur nga prindër të ndershëm dhe vazhdojmë të jemi të tillë. Tani mendon që duke më dërguar në Gjykatën Speciale, do të mund të më bënte mua që të hesht. Por, përkundrazi, dhe ato gjëra që nuk kisha mundësi t’i them gjatë punimeve të Komisionit Hetimor, unë t’ja paraqisja gjykatës dhe jemi në mbyllje të një kallëzimi të ri për Edi Ramën, Ogerta Manastirliun, Vilma Nushin, Ilir Beqajn. Vilma Nushi ka bërë abuzim marramendës me krijimin e kompanive të tjera, me blerje shumë më të lirë në një kompani dhe shitje shumë herë më të shtrenjtë te kompani tjetër. Të gjitha po hartohen në një kallëzim të ri dhe do depozitohen kur të mbarojnë zgjedhjet.
()