Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Lisandër Hoxha, deklaroi në studion e News24 se ka zhvilluar një fushatë intensive dhe të ndershme, duke u fokusuar tek qytetarët dhe vlerat e së djathtës.
“Unë preferoj t’ua kem borxh mandatin qytetarëve dhe jo disa subjekteve siç ndodh rëndom në politikën shqiptare. Dua të përfaqësoj vlerat e së djathtës, jo interesa personale apo klienteliste,” – u shpreh Hoxha, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit.
Ai theksoi se fushata e tij është bazuar tek komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe tek besimi që ka ndërtuar me ta, duke shpresuar që kjo të reflektohet në votë. Sipas tij, gara në PD është një garë kontributesh dhe bindjesh, jo përplasjesh të brendshme apo xhelozish.
“Nuk kam asnjë xhelozi dhe asnjë garë me askënd. Votat e mia nuk i merr njeri sepse janë personale, janë ndërtuar me punë dhe komunikim të sinqertë,” shtoi kandidati demokrat.
Në përmbyllje, Hoxha theksoi se ka bërë një zgjedhje të qartë për të jetuar në Shqipëri dhe për të rritur fëmijët e tij këtu, duke nënvizuar angazhimin për një politikë të përgjegjshme dhe të mbështetur në realitetin e përditshëm të qytetarëve shqiptarë.