Probleme me administrimin e votës së diasporës? Celibashi: Deri në 15 mijë persona nuk do të marrin dot fletët e votimit! Kur zarfi B mungon apo është i dëmtuar…

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ishte sot në studion e “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa.

I pyetur në lidhje me problematikat e administrimit të votës së diasporës, Celibashi u shpreh se numri maksimal i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që nuk do të arrijnë dot të marrin zarfet me votat, shkon në maksimumi 15 mijë, shifër kjo sipas tij e papërfillshme.

“15 mijë votues rezultojnë deri tani që nuk i kanë marrë zarfet me fletët e votimit. 11 mijë prej tyre kanë probleme me adresat, diçka që e prisnim që në fillim të procesit. Me shumë mundësi kjo kategori nuk mund të mund ta marrë fletën e votimit. Sipas informacioneve nga DHL është bërë çdo tentativë për ti kontaktuar por se kanë dhënë adresa e-maili dhe numra telefoni të gabuara.

11 mijë -15 mijë persona pra nuk mund ta marrin fletën e votimit. Me integritetin e procesit zgjedhor kjo nuk ka të bëjë fare. Për ne ky është një numër minimal i papërfillshëm, nisur nga eksperiencat e shteteve të tjera ku ka pasur raste që edhe gjysma e fletëve të votimit nuk kanë mundur të shkojnë në destinacion”, tha ai.

Pjesë nga diskutimi në studio: 

Nisida Tufa: Ka pasur raste të personave që kanë mbledhur zarfet e fletëve të votimit, si për shembull rasti i një punonjëse në ambasadën shqiptare në Romë. Janë raste të izoluara apo problem në administrimin e votës së diasporës?

Ilirjan Celibashi: 170 mijë fletë votimi të kthyera, 65 përqind kanë mbërritur në KQZ dhe për këtë nuk ka asnjë lloj pretendimi. Me siguri ky numër do të rritet, kjo në parantezë për të treguar se procesi ka shkuar shumë mirë. Fakti që ka episode të tilla, edhe nëse i konsiderojmë si të vërteta, nuk e zbehin suksesin e procesit, jemi duke verifikuar çdo rast, janë angazhuar edhe institucionet e tjera me kompetenca të tjera si hetimi penal.

Nisida Tufa: Si do të sigurohet transparenca e procesit?

Ilirjan Celibashi: Nëse ka një karakteristikë të spikatur procesi i votimit nga jashtë, është transparenca që ka nisur që në orën e parë. Ky proces është zhvilluar nën vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e partive politike dhe shoqërisë civile, medias, në Parkun Olimpik të Tiranës, 24/7.
Kur proceset zhvillohen në mënyrë transparente, pak vend mund të lësh për të menduar se çfarë po ndodh sepse gjërat janë të hapura.

Nisida Tufa: Po në lidhje me publikimin e votës në rrjetet sociale?

Ilirjan Celibashi: Përveç parashikimit ligjor që një gjë e tillë nuk lejohet, ne nuk kishim çfarë të bëhet më. Mbetet në dorën e institucioneve ta vlerësojnë dhe adresojnë. Kemi vlerësuar se kanë qenë raste sporadike. Që në momentin që është vërejtur si fenomen dhe e kemi thënë nuk ka ndodhur më

Nisida Tufa: Po në rastet kur zarfi B mungon apo është i dëmtuar, si do të trajtohen votat?

Ilirjan Celibashi: Kemi bërë një administrim të veçuar të këtyre rasteve. Në procesin e numërimit që nis pas orës 19:00 të ditës së dielë, komisionet dhe grupet e posaçme do të bëjnë vlerësimin e këtyre rasteve. Nëse qartazi nuk identifikohet votuesi dhe zgjedhjen e tij në gjykimin tim do të konsiderohen të vlefshme. Nëse ka dyshime se është kompromentuar fshehtësia e votës, këto fletë nuk duhet të numërohen. Pra do të kemi një gjykim që do të ndodhë rast pas rasti.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook