Klos – Situatë e tensionuar është raportuar në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) Nr. 17 në Klos, ku komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit e Partisë Demokratike janë larguar nga procesi, duke pretenduar për shkelje gjatë numërimit të votave.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se përfaqësuesit e PD-së kanë denoncuar parregullsi në procesin e numërimit, të cilat sipas tyre cënojnë integritetin e zgjedhjeve. Ata kanë braktisur ambientet e KZAZ-së në shenjë proteste, ndërsa situata pritet të marrë përmasa më të mëdha nëse nuk ndërhyhet për verifikimin e pretendimeve.
Largimi i përfaqësuesve të opozitës rrezikon të çojë në përsëritjen e zgjedhjeve në këtë zonë, nëse konstatohet se procesi është zhvilluar në kundërshtim me ligjin zgjedhor.
Ndërkohë, autoritetet zgjedhore nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi situatën e krijuar, por mësohet se janë duke vlerësuar hapat e mëtejshëm për të garantuar ligjshmërinë e procesit.
Zhvillimet në Klos vijnë në një kohë kur procesi i numërimit të votave po vijon në të gjithë vendin dhe janë në vëmendjen e opinionit publik.
(Arena e Lajmit)