Drejtuesi politik i PS në zonën e Kombinatit, Blendi Gonxhja tregon arsyet pse PS po shkon drejt mandatit të katërt qeverisës, falë votave të 11 majit. Socialistët kryesojnë në 9 qarqe të vendit, nga 12, dhe votat e përkthyera në mandate, deri tani, i çojnë socialistët në Parlamentin e ardhshëm me të paktën 82 deputetë, si asnjëherë më parë.
Në një lidhje direkte për emisionin Log. në News24 me Endri Xhafon, Gonxhja tha se mazhoranca përfitoi edhe nga përçarja e opozitës.
Sa i takon partive të vogla, ai tha se shkuan para shqiptarëve me skenar krizash qeveritare dhe teza të rrezikshme për ekonominë.
Blendi Gonxhja: Është një votë racionale, më shumë se sa politike. Jo thjesht votë prej përkatësisë politike, por një votë e zgjuar e cila vjen në rritje edhe për shkak të fragmentarizimit të vetë opozitës, prej një oferte të paqartë të saj, ka parti që tentojnë bllokimin e qeverisë, zgjedhje të parakohshme, me teza markiste për ekonominë, pra jashtë kohe dhe kjo ka bërë që qytetarët të jenë të vendosur për këtë që kanë shprehur. Të gjithë duhet të shohim nga vetja, nga ajo që bëjmë dhe përfaqësojmë.
()