Dikur, me fanellën e Lazio-s, i hiqte Inter titullin nga duart, sot është sërish Lazio, por këtë herë kryeqytetasit ia heqin nga duart Simone Inzaghit. Ironi e fatit apo jo, por tashmë është një fakt, një javë përpara fundit, Lazio largon zikaltërit nga gara për titull, për më tepër në një mbrëmje ku Napoli ngeci përballë Parmës, ndërsa Inter shpërdoroi dy herë avantazhin. Sigurisht që një përfundim i tillë “djeg” jo pak, por Inter është përgjegjës për këtë situatë, pasi nga 35 gola që ka pësuar këtë sezon, 12 prej tyre kanë ardhur pas minutës së 76-të, shumë për një ekip që synon titullin.
Në “San Siro”, Inzaghi nuk kishte kursyer askënd, kishte hedhur në fushë formacionin e tij më të mirë, por Lazio vërtetoi që në fillim se nuk kishte ndërmend të lëshonte asnjë milimetër në fushë. Në fundin e pjesës së parë, tifozët shpërthyen në festë teksa Bisseck kaloi zikaltërit në avantazh.
Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Baroni hodhi në fushë edhe Hysaj. Në minutën e 72-të, pas një rrëmuje në zonë, Pedro dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1. Festa e Lazio-s nuk zgjati shumë pasi 7-të minuta më vonë, i përhershmi Dumfries me kokë në shtyllën e dytë kaloi edhe një herë Inter në avantazh. Atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 90-të, Lazio fitoi një 11-metërsh, për prekje të topit me dorë në zonë. Nga pika e bardhë e penalltisë, Pedro u tregua i saktë duke barazuar rezultatin në 2-2.
Inter nuk u dorëzua, provoi në çdo formë të gjente golin e fitores, e bënë diçka të tillë në minutën e 99-të, por goli i Arnautovic u konsiderua i parregullt, në pozicion jashtë lojë.
Lazio arrin t’i marrë Interit një pikë jetikë në “San Siro” që i mban në lojë për një vend në Champions, ndërsa Interit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të shpresojë në një mrekulli në javën e fundit, pasi fati i titullit mbetet sërish në dorë të Napolit.
()