Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Ekil Nerjaku dhe Ervis Deti, të cilët janë ndaluar me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Të dy të arrestuarit dyshohen për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ekil Nerjaku është i njohur për autoritetet edhe për një arrestim të mëparshëm si i dyshuar për atentatin e ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit.
Për shkak të juridiksionit, Gjykata e Tiranës ka vendosur që dosja të kalojë për kompetencë në Gjykatën e Durrësit. Kjo e fundit do të shqyrtojë kërkesën për ekstradim, e cila pritet të mbërrijë nga autoritetet italiane në ditët në vijim.
NJOFTIM PËR SHTYP
Referuar interesit të shfaqur nga disa gazetarë, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, sot më datë 22.05.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, në praninë e palëve ndërgjyqëse, kërkesën e paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, për shtetasit: G. N. alias E. N. dhe E.D , kërkesën me objekt: “Për miratimin e arrestimit të përkohshëm për qëllime ekstradimi dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest ne burg”.
Gjykata pasi administroi provat shkresore, shqyrtoi ato në tërësi, si dëgjoi konkluzionet përfundimtare
PËR KËTO ARSYE;
Gjykata duke u bazuar në nenet 493 e vijues të K.Pr.Penale
V E N D O S I:
- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit për qëllime ekstradimi të shtetasve G. N. (alias E. N.), i biri i . dhe i ., lindur më .dhe E. D., i biri i B. dhe i N., lindur më . të kryer nga policia gjyqësore në bazë të “Procesverbal për arrestin ndërkombëtar 21.05.2025 ora 10:00”.
- Caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale ndaj personave në kërkim G. N. (alias E. N.) dhe E. D.
- Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
- Ky vendim t’i njoftohet menjëherë Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.
- Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundra këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
U shpall në Tiranë, sot më datë 22.05.2025.
Përgatiti: Ola Ismaili,
Koordinatore e marrëdhënieve me publikun dhe median.
e-mail: [email protected]
(Arena e Lajmit)