Kandidati i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, i ftuar në studion e News 24, ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor të fundit, duke e quajtur atë një “maskaradë” dhe një nga proceset më të deformuara në historinë e Shqipërisë. Sipas Dogjanit, nëse gara do të ishte e ndershme dhe reale, ai do të kishte marrë mbi 15 mijë vota, pasi ka bërë një fushatë intensive çdo ditë.
Dogjani akuzoi qeverinë dhe krimin e organizuar për bashkëpunim të ngushtë gjatë fushatës, duke përdorur presion dhe para të paligjshme për të ndikuar mbi votuesit. Ai denoncoi edhe rolin e patronazhistëve në rrjetet sociale, të cilët sipas tij kishin filluar manipulimin shumë përpara zgjedhjeve. “Në disa qarqe, 99% e votave të ardhura nga jashtë shkojnë për PS – kjo është një makineri shtetërore, një proces totalisht i kontrolluar politikisht,” u shpreh Dogjani.
Ai pranoi se edhe brenda PD ka probleme që kërkojnë analizë të thellë, duke kërkuar që kushdo që ka përgjegjësi për rezultatin të drejtojë gishtin nga vetja. “Unë fushatën time e kam bërë me familjen time, jo me banda,” theksoi ai, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe ngritjen e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Asllan Dogjani: Nëse do kishte qenë garë reale, do kisha marrë mbi 15 mijë vota. Kam bërë fushatë përditë. Por, shteti dhe krimi ishin dorë për dore në fushatë, për t’ju bërë presion votuesve, u përdorën paratë e krimit. Këto janë zgjedhjet më të deformuara në historinë e Shqipërisë. Paraja ishte tek pushteti, në rrjetet sociale patronazhistët kishin nisur punën shumë më herët. Ka qenë proces maskaradë. Njerëzit janë kërcënuar që të mos votojnë Partinë Demokratike. Si ka mundësi që njerëzit nga jashtë votonkan 99 përqind PS-në në disa qarqe, është makineri e madhe shtetërore, është proces i kontrolluar politikisht. Kemi pasur dhe ne probleme dhe duhet të bëjmë një analizë. Unë fushatën time e kam bërë me familjen time dhe jo me banda. Duhet të japë dorëheqjen Edi Rama, që përfaqëson krimin. Kushdo që ka përgjegjësi për këto zgjedhje në PD, duhet të drejtojë gishtin nga vetja. Po, bota e Amerika duhet të ndërhyjë, duhet qeveri teknike, që të mbahen zgjedhje të ndershme e të lira. Rama ka lidhje me mafien ndërkombëtare.
(Arena e Lajmit)